Ditët e kaluara, në zyrën e Degës së Lëvizjes Besa një numër i madh i prindërve të fëmijëve në Çerdhen Bleta dhe nxënësve në Shkollën fillore Bashkimi në Gostivar kanë shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimin e tyre në lidhje me funksionimin e sistemit për nxehje në këto institucione arsimore. Me këtë rast, Lëvizja Besa me qëllim të artikulimit të drejtë të problemeve që prekin qytetarët e Gostivarit, në veçanti fëmijët në çerdhe dhe nxënësit që paraqesin ardhmërinë më të ndritshme, thirrën për marrjen mbi vete të përgjegjësisë së plotë publike dhe shoqërore për korrigjimin e këtyre gabimeve dhe mospërsëritjen e të njëjtëve në të ardhmen nga ana e institucioneve përkatëse. Gjithsesi, sugjerimet që u janë bërë prindërve nga zyrtarët e institucioneve që “fëmijët të veshën më mirë për shkak se kemi nxehje alternative” nuk është arsye e shëndoshë. Është mëkat dhe gabim shumë i madh i pushtetit lokal dhe atij qendror që për shkak të mos ndjekjes të procedurave burokratike të vuajnë fëmijët dhe të humbin nga procesi mësimor i tyre.

Lëvizja BESA – Dega në Gostivar shpreh pakënaqësinë e vetë me rastin e këtij keq menaxhimi me proceset shoqërore dhe sigurimin e të drejtave të qytetarëve, sidomos të atyre proceseve që prekin pjesën më me vlerë të shoqërisë tonë siç janë fëmijët në çerdhe dhe nxënësit në shkollat fillore. Prandaj, institucionet le të merren më shumë me përgjegjësitë që u takojnë atyre se sa me bërjen e politikave të mëdha parazgjedhore.