“Një  premtim i shumë cikleve parazgjedhore të partive politike, që assesi të fillojë edhe me realizimin e tij, është e bulevardi “Nikolla Karev” ose, siç njihet, si “Rruga e plastikave”, kanë thënë nga Lëvizja BESA.

Ndonëse Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, e arsyeton këtë me ndryshimin e projektit, gjë që ka imponuar edhe shtyrjen dhe anulimin e projektit, sipa tyre, kjo nuk është e qëndrueshme, sepse kur bëhet fjalë për lagjet Qendër, Aerodrom, Karposh rëndom nuk ekzistojnë ngecje të tilla dhe problemeve të tilla. Siç e dimë, në lagjet e tilla qysh moti kanë përfunduar punimet në bul. “Serbia”, bul. “Jane Sandanski”, bul. “Aradhet Partizane”, bul. “Brigada e Tretë  Maqedonase”, bul. “Jordan Mijallkov”, madje tash çdo vit parashihen në buxhet mjete shtesë për zbukurimin e tyre në prag të çdo feste.

“E vërteta është se rikonstruktimi i bulevardit “Nikolla Karev” (“Rruga e plastikave”) ishte paraparë në dy buxhete vjetore të Qytetit të Shkupit, më 2014 dhe 2015, madje edhe për vitin 2016 Qyteti i Shkupit ka paraparë buxhet për këtë bulevard, por assesi të lëvizë nga pika zero. Nisur nga kjo, Lëvizja BESA ngre shqetësimin e saj ndaj qasjes selektive të Shkupit kur bëhet fjalë për investime në vendbanimet shqiptare dhe vazhdon kështu ta kultivojë një kryeqytet me dy pamje: njëra bashkëkohore dhe, ana tjetër, afrikane. Në këtë pa dyshim ka meritën e saj edhe BDI-ja, si bashkëpunëtore e VMRO-së edhe në pushtetin lokal në Shkup dhe mbështetëse e projektit “Shkupi 2014”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

Për këtë arsye ata thonë se Lëvizja BESA në agjendën e saj ka përshkruar se ky shtet do të jetë i tillë vetëm nëse pranohet RIDEFINIMI i tij, që nënkupton edhe zhvillimin e politikave të drejta lokale. Ndërsa kjo mund të bëhet vetëm me njerëz pa hipoteka dhe profesionistë që dinë, duan dhe mund ta realizojnë atë.