Sot përmes një konfernce për shtyp, Lëvizja Besa, ka reaguar në lidhje me rastin e djeshëm, gjegjësisht sulmin fizik ndaj këshilltarit të Besës në Komunën e Ohrit nga ana e BDI-së, shkruan Gjurmë.

“Arsyeja e këtij sulmi fizik ka qenë refuzimi i këshilltarit tonë që të votojë pikat e shumicës LSDM-BDI në Këshillin Komunal Ohër. Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, Lëvizja Besa nuk është pjesë e shumicës në Komunën e Ohrit dhe si e tillë nuk ka obligim që të votojë çdo gjë që i servohet nga shumica. Po ashtu, jemi dëshmitarë se edhe në shumë media para disa kohe pikërisht u ngrit çështja e ndërtimeve pa leje pas të cilave sipas hulumtimeve të medieve qëndron pikërisht këshilltari i BDI-së në Ohër, prandaj ne sot publikisht i themi se vota e Lëvizjes Besa asnjëherë nuk do jetë në shërbim të mafies urbane apo politikës banditeske që ushtron BDI në Ohër, dhe që me heshtjen e tyre po e mbështet edhe LSDM”, thekson sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha. /Gjurmë/