Ashtu si të gjitha premtimet boshe të partisë shqiptare në pushtet, edhe projekti për ndërtimin e qendrës multi-funksionale të kulturës në Tetovë, e cila duhet ta përfshijë bibliotekën dhe teatrin, vazhdon të mbetet shumë larg realizimit.

Kështu thuhet në një reagim të Lëvizjes BESA, sipas të cilës, funksionarë të lartë të BDI-së që nga viti 2013 në vazhdimësi i kanë gënjyer qytetarët e Tetovës se po angazhohen për ndërtimin e këtij objekti.

“Mirëpo, edhe ky premtim po shënohet në faqen e mashtrimeve dhe premtimeve boshe të tyre, duke e dëshmuar edhe një herë impotencën dhe mosinteresimin e tyre për këto projekte, të cilat kanë një rëndësi shumë të madhe për kulturën shqiptare në Maqedoni. Kjo na bën edhe më të bindur se BDI-ja më të rëndësishëm e konsideron teatrin politik, që po e bë me VMRO-në, ku në emër të një nacionalizmi të rrejshëm mundohen të vetëshpallen si heronj, sesa ndërtimin e qendrës kulturore në Tetovë”, thuhet në reagimin e BESËS.

Lëvizja BESA, vazhdon më tej reagimi, ashtu siç edhe ka premtuar në fushatën parazgjedhore, zotohet se do të angazhohet maksimalisht për hapjen e teatrove shqiptare në të gjitha qytetet shqiptare, do të angazhohet për renovimin dhe restaurimin e teatrove aktuale, do të angazhohet për organizimin dhe promovimin e “Ditëve të Kulturës Shqiptare në Maqedoni”, për hapjen e bibliotekave nëpër të gjitha vendbanimet shqiptare dhe zotohet se kulturës shqiptare do i qaset me seriozitetin maksimal.