Ende pa u bërë 100 ditë të qeverisjes Zaev-Ahmeti-Sela, Lëvizja BESA ka parajmëruar se do të do të jetë një opozitë e fuqishme parlamentare dhe jashtëparlamentare, njofton agjencia e lajmeve INA.

BESA paralajmëron edhe protesta dhe aktivitete tjera për zbardhjen e proceseve të montuara gjyqësore si dhe arrestimin e politikanëve të kriminalizuar.

Shefi i kabinetit të kreut të Lëvizjes Besa Bilall Kasami, Faton Fazliu thotë se lufta për demokratizimin e vendit nuk do të ndalet.

“Lëvizja BESA do të angazhohet maksimalisht që të zbardhen të gjitha proceset e montuara gjyqësore, të zbardhen aferat korruptive ku përfliten akterë të lartë politik të cilët edhe tani janë pjesë e qeverisë. Në të kundërt, reagimi qytetar do të jetë i fuqishëm dhe BESA do të jetë në ballë të organizimit për të ndaluar drejtësinë selektive e cila është në dëm të shqiptarëve, e në dobi të politikanëve të korruptuar”, deklaroi Fazliu.

Ai shton se përveç dyshimeve për punën e prokurorit që janë të përgjithshme, ka edhe dyshime për veprimet e tij veçanërisht për rastet që kanë të bëjnë me shqiptarët. Në opinion publik haptazi flitet për procese të montuara gjyqësore, viktimë e të cilave janë kryesisht shqiptarët. Këto raste të montuara politike nuk kanë filluar me Marko Zvrlevskin. Shqiptarët në vazhdimësi kanë qenë të përndjekur dhe ndaj tyre janë montuar procese gjyqësore për qëllime politike, dhe jo vetëm!

“Insistojmë që sa më parë të zbardhen rastet e njohura si Sopoti dhe Montra, si dhe shumë raste të tjera dhe fajtorët e vërtetë të vihen para drejtësisë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Duhet një herë e përgjithmonë të përfundojë koha kur shqiptarët janë fajtorët kujdestarë dhe gjah i proceseve të deformuara gjyqësore që udhëhiqen nga qëllimet politike të atyre që këtë shtet e konsiderojnë si pronë të tyre. Në këtë rast, neglizhenca dhe bashkëpunimi i faktorit politik shqiptarë në qeveri është e pafalshme”, tha mes tjerash Fazliu.