Komisioni për Financim dhe Buxhet pranë kuvendit të Maqedonisë, filloi sot debatin për Propozim Buxhetin për vitin 2018, të propozuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Partitë politike kanë parashtruar 279 amendamente, duke paraqitur vërejtjet e tyre. Ministri i financave, Dragan Tevdovski, arsyetoi para deputetëve buxhetin, duke thënë se pritshmëritë për rrjedhat ekonomike janë të larta. Deputeti Nexhbedin Karamani nga Lëvizja BESA tha se sipas propozim buxhetit, viti 2018 për shqiptarët do të jetë edhe më i rëndë se viti 2017. Ai tha se ky buxhet nuk është zhvillimor, por social, duke shtuar se buxheti është diskriminues për shqiptarët, sidomos në sferën e arsimit. Karamani përmendi diskriminimet edhe në sferat tjera, si në kulturë, ku theksoi se për Muzeun e Alfabetit janë ndarë vetëm rreth 40 mijë euro për rrogat e të punësuarve, përderisa ndahen miliona euro për muzetë tjerë.

“Diskriminime të mëdha janë bërë edhe në ndarjen e mjeteve për universitetet, sidomos atij të Tetovës dhe të Universitetit ‘Nënë Tereza’, në krahasim me universitetin ‘Shën Kirili dhe Metodij’, universitetin ‘Kliment Ohridski’ dhe universitetin ‘Goce Dellçev’. Pse e them këtë? Unë pikërisht vij nga ‘Universiteti i Tetovës’ dhe them se 70-75 për qind e mjeteve ndahen vetëm për rrogat e administratës, asistentëve dhe administratorëve tjerë”, tha deputeti i Lëvizjes BESA, Nexhbedin Karamani. Ai tha se Lëvizja BESA ka parashtruar 70 amendamente për të përmirësuar lëshimet e propozim-Buxhetit, por porositi shumicën parlamentare që të tregojnë nëse do të pranojnë ndonjë amendament, apo do të përsëritet situata me rishikimin e Buxhetit, kur nuk u pranua asnjë amendament i BESËS. Ndaj fjalimit të deputetit të Lëvizjes BESA, reagoi Rexhail Ismaili nga BDI, i cili tha se Universiteti i Tetovës dhe Universiteti Nënë Tereza, radhiten i dyti dhe i treti, menjëherë pas Universitetit “Kiril dhe Metodij”.

“Për ‘Universitetin e Tetovës’ parashihen 330 milionë denarë, dhe është Universiteti i dytë pas universitetit të Shkupit. Pastaj universiteti ‘Nënë Teresa është universiteti i tretë me mjete që parashihen, pas universitetit të Tetovës, me 288 milionë denarë, nga të cilat 200 milionë denarë janë mjete për investime kapitale”, tha deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili.