Partia opozitare shqiptare Lëvizja Besa, sot në një konferencë për media e akuzoi pushtetin për gjendjen e keqe në Kodrën e Diellit.

Nga kjo parti thonë se qeveria deri tani me qëllim nuk e ka lëshuar në shfrytëzim teleferikun me gjashtë ulëse dhe e ka lënë para zgjedhjeve.

“E mira e vetme që filloi si investim në këtë vend ishte pikërisht gjashtëulësja, e cila siç duket do të lëshohet në shfrytëzim në prag të zgjedhjeve, sepse BDI dhe kjo Qeveri duan ta keqpërdorin edhe mundësinë më të vogël për manipulim me votat, sepse ditëve të fundit si duket janë vetëdijesuar dhe e din çka i pret më 12 prill. Siç duket janë dakorduar ta zvarrisin punën me qëllim ai të mos lëshohet në shfrytëzim deri para zgjedhjeve, që të munden në fushatën parazgjedhore të lavdërohen se kanë bërë diçka, edhe pse punët për këtë teleferik janë zvarritur tashmë gjashtë vjet”, theksoi Sali Mustafa nga Lëvizja Besa.

Ai i kritikoi autoritetet edhe për premtime tjera të parealizuara.

“Lëvizja Besa kërkon nga Qeveria të mos manipulojë me banorët dhe qytetarët e këtij vendi, sepse ajo që vet e reklamojnë – të drejtën, do t’i arrijë edhe ata pas 12 prillit dhe do të ballafaqohen me këto vepra të kryera në Kodrën e Diellit”, ka theksuar Mustafa.