Të nderuar përfaqësues së mediave, të dashur qytetarë,

Maqedonia vitet e fundit po shkon drejt një kolapsi ekonomiko- social, që çdo ditë e më shumë po e ngulfat edhe më shumë qytetarin e Maqedonisë. Nga ky buxhet i paraparë për çdo sferë, shihet qartë një diskriminim i hapur ndaj komunave shqiptare, sidomos ndaj Komunës së Tetovës, ku – për fat të keq – edhe pushteti qendror edhe ai lokal janë nga e njëjta parti politikë, pra BDI. Edhe pse erdhën në pushtet me një mal premtime, si të pushtetit qendror edhe atij lokal, ata çalojnë krejt në pikëpamje të realizimit. Këtu më poshtë po i radhisim disa pika që e shpërfaqin këtë diskriminim të krijuar nga BDI-ja:

  • Në arsim, me rebalancin e buxhetit të vitit 2016 nuk janë të paraparë mjete të mjaftueshme për ndërtimin dhe renovimin e shkollave fillore dhe të mesme. Ndonëse në nivel republikan nga 2 milion euro, buxheti është projektuar në 1.9 milion euro, nga kjo as 1 % nuk është paraparë për Komunën e Tetovës për renovimin dhe ndërtimin e shkollave të reja, edhe pse ne lamë pas një vit arsimi me kushte mizore në disa shkolla fillore dhe të mesme, ndërsa po me këtë gjendje do ta presim edhe vitin e ri shkollor. Edhe pse, të mos harrojmë, premtimet e partisë në pushtet – si në nivel lokal, por edhe në nivel qendror – ishin se do të kemi shkolla me kushte evropiane. Gjithashtu nga buxheti diskriminues janë paraparë që të zvogëlohet edhe buxheti për Universitetin e Tetovës për 22 milion denarë, edhe pse në rrethanat në të cilat funksionon Universiteti ka nevojë për rritje të buxhetit e jo për shkurtim të tij. Krejt kjo ndodhë kur ministër Arsimi është një shqiptar i partisë shqiptare në pushtet.
  • Në infrastrukturë, pra në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjes, kemi shkurtim nga 35.8 milionë euro, sa ishin paraparë më parë, në 16.5 milion euro, sa janë projektuar me rebalancin e buxhetit në nivel qendror. Kjo i bie që edhe në infrastrukturën rajonale, sidomos në mirëmbajtjen dhe krijimin e sigurisë në rrugët kryesore që lidhin qytetet, nuk janë paraparë mjete financiare, kurse për rregullimin e rrugëve brenda qytetit të Tetovës as që mund të ëndërrohet ndonjë lëvizje. Krejt kjo ka mbetur në vullnetin dhe angazhimin e qytetarëve të Tetovës që ata – edhe pse paguajnë taksat dhe votojnë përfaqësues në pushtet – përsëri me forcat e tyre t’i rregullojnë rrugët lokale nëpër lagjet e Tetovës.
  • Gjithashtu edhe në aspekt të infrastrukturës së ujësjellësit gjendja është thuaja e njëjtë. Edhe pse premtimet fillestare në zgjedhjet lokale kanë qenë për rregullimin e ujësjellësit, në këto tre vite nuk ka asnjë lëvizje: për këto tre vite nuk kanë përfunduar as 3 km të tubacioneve; nuk është ndërtuar sistemi i ri për dezinfektimin e ujit përmes klorinimit; nuk është askund rezervuari i premtuar 4000m3 ose zgjerimi i hapësirës ekzistuese.
  • Në fushën e kulturës po ashtu ka lajme të këqija. Biblioteka e Tetovës, një projekt me të cilin BDI-ja nga viti 2005 e këndej i ka gëlltitur votat e qytetarëve të Tetovës, nuk ka arritur të ngrihet as edhe 1m mbi tokë. Ndërsa lajmi i keq është se, ndonëse në këtë gjendje, asaj i është shkurtuar buxheti në 33% ose rreth 60 milionë denarë.
  • Në aspektin e turizmit vazhdon letargjia. Edhe pse Tetova e ka Malin Sharr dhe Kodrën e Diellit, nga buxheti nuk është paraparë asnjë denarë për rregullimin e kushteve turistike, as edhe një projekt për krijimin e idesë se Tetova ka kushte për turizëm. Ndonëse në zgjedhjet lokale ishte premtuar se për turizëm do të rregullohet infrastruktura në Malësinë e Sharrit, deri tash nuk është bërë asnjë investim në këtë drejtim, madje as që janë paraparë mjete financiare për këtë. Të përkujtojmë: ishte premtuar se do hartohet plan urbanistik në fshatrat e Malësisë – nuk u bë diçka e tillë; ishte premtuar se do të pastrohen deponitë e egra në Malësinë e Tetovës – kjo nuk u bë.

Të dashur qytetarë, kjo është Tetova e menaxhuar nga BDI-ja – e mashtruar, e tradhtuar dhe e poshtëruar. Lajmi i mirë është se për disa muaj vijnë zgjedhjet lokale dhe ne do të donim që qytetarët e Tetovës të mos mashtrohen rishtazi. Sepse, për atë që mashtrohet një herë, fajin e ka mashtruesi dinak, por nëse mashtrohet përsëri, fajin e ka i mashtruari që ia lejon këtë.

Përfundimi jonë është se Tetova meriton më shumë dhe se ky poshtërim nuk i ka hije qytetit tonë.