Ashtu siç kemi vënë re edhe në atë raport, statusi i gjuhës shqipe ka qenë dukshëm më i favorshëm në ish Jugosllavi (me Kushtetutën e vitit 1974), ndërsa krejt kjo që po ndodhë sot në Maqedoni flet se subjekti shqiptar, që i doli zot idealit të luftës dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, le që nuk mundi ta kthejë statusin e shqipes në kushte të Jugosllavisë, e aq më pak atë që ishte synuar me Marrëveshjen e Ohrit, por ky subjekt po e degradon shqipen gati si në kohën e JNA-së së Rankoviqit.

Nisur nga kjo Lëvizja BESA ngre shqetësimin se Maqedonia me këso shembuj po dëshmon edhe një herë se është bërë fole e diskriminimit dhe se në Maqedoni gjithçka është më lehtë të jesh dhe të bëhesh, pos shqiptar. Për këtë arsye BESA rithekson se ata që e kanë vrarë Marrëveshjen e Ohrit, kanë më së paku të drejtë të flasin për “sukseset”e saj.

Me këtë rast BESA e përsërit se Maqedonisë i duhet urgjentisht një RIDEFINIM themelor i marrëdhënieve ndëretnike, sepse – në këtë mënyrë – ajo pandalshëm po udhëton drejt greminës e theqafjes.