Rilindje me BESË sonte platformën politike e shpalosi para banorëve të Kumanovës. Para të pranishmëve kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, njëherit bartës i listës zgjedhore për njësinë e gjashtë zgjedhore deklaroi:

“Ne jemi sonte në Kumanovë jo që të kërkojmë votën tuaj, por diçka më shumë se aq: që ta kthejmë besimin te vlerat tona, tek ata që flijuan çdo gjë për popullin e vet duke mos kërkuar asgjë si shpërblim. Kumanova gjithmonë ka qenë peshorja më e saktë e krenarisë dhe bujarisë, e atdhetarisë dhe e trimërisë shqiptare. Kumanova gjithashtu ka qenë edhe peshorja më e saktë e durimit shqiptar. Në kohën e socializmit Kumanova ishte ajo që protestonte me zërin shqiptar. Në kohën e demokracisë Kumanova ishte ajo që luftoi për të drejtat e shqiptarëve. Por, Kumanova gjithmonë ishte e durueshme dhe mbeti e fundit kur duhej të shijoheshin të mirat. E fundit mbeti Kumanova edhe pas vitit 2001 kur të gjithë ndanë poste, përfitime, tenderë, e Kumanovës ia lanë vetëm durimin dhe varfërinë”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i lëvizjes Besa duke shtuar se:

“Që nga sot ua them se RIDEFINIMI i këtij shteti do filloje nga Kumanova edhe atë me datën 11 dhjetor”, përfundoi Kasami.
Kryetari i RDK-së, Fadil Zendeli, njëherit edhe kandidat për deputet në zonen e gjashtë theksoi: “Nga kjo mbështetje masovike që shoh unë sonte nga ky tubim madhështorë se ky koalicion do të dalë fitimtarë në zgjedhjet e 11 dhjetorit, pasi kemi platformën që ofron zgjidhje për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni. Rilindja me BESË do të bëjë çmos që të sjell vlera të reja në politikë dhe ti përfaqësojë shqiptarët e Maqedonisë sa më denjësisht në të gjitha aspektet”, tha Zendeli.