Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama dhe presidentët e Malit të Zi dhe Serbisë, Millo Gjukanoviq dhe Aleksandar Vuçiq, në takimin në Tiranë në kuadër të nismës Shengeni i Vogël i shqyrtuan rezultatet e zbatimit të katër lirive në rajon, të përcaktuara në dy takimet paraprake në Ohër dhe Novi Sad dhe dakorduan masa të reja – një prej tyre është bashkëpunimi i drejtorive për mbrojtje dhe shpëtim të secilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në këtë drejtim në shkurt në Beograd, do të nënshkruhet dokumenti Protokolli i Durrësit, si dhe unifikimi i procedurave për dhënien e lejeve të punës.

Katër liderët e vendeve pjesëmarrëse edhe në këtë takim e riafirmuan qëndrimin se kjo nismë ka për qëllim ta përshpejtojë bashkëpunimin që të lehtësohet dhe përshpejtohet procesi i integrimit evropian të secilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se është i hapur për gjashtë vendet e rajonit.

“Secili vend në këtë proces ka përfitim progresiv dhe gjatë vitit të ardhshëm do t’i kemi 1,2 miliardë euro për t’i realizuar marrëveshjet. Këto fonde nuk janë kredi, por janë grante”, porositi nikoqiri i takimit Rama.

Ai në takimin e tretë të Mini-Shengenit ballkanik iu drejtua liderëve kosovarë për refuzimin për t’u ulur në tryezën e kësaj nisme, me vlerësimin se vendimi i mospërfshirjes do ta dëmtojë Kosovën.

“Ky refuzim i përsëritur i autoriteteve kosovare për të marrë pjesë në këtë tryezë është i pakuptimtë dhe i dëmshëm për vetë Kosovën”, tha Rama dhe theksoi se plagët e së kaluarës nuk shërohen me helm dhe acid, por me ilaçe.

Kryeministri shqiptar tha se kjo nismë do të vazhdojë dhe se marrëveshjet do të zbatohen.

“Nëse shohim përmes historisë izolimi dhe refuzimi nuk kanë sjellë gjëra të mira, veçanërisht për gjeneratat e reja”, tha Rama.

Kryeministri Zaev theksoi se me këtë nismë rajoni tregon se ky është Ballkan i ri, Ballkani i shekullit 21 në të cilin rrimë dhe bisedojmë dhe dëshirojmë të bëjmë shumë më shumë se atë që e kemi bërë deri më tani.

Duke u përqendruar në atë që është realizuar deri më tani në kuadër të nismës Shengeni i vogël, tha se bashkëpunimi 24 orësh të cilin e vendosëm me Serbinë tashmë është duke i dhënë rezultatet e para me dobi edhe për qytetarët edhe për transportuesit e kufirit Tabanoc – Preshevë. Nga Ohri deri më tani për katër javë, shtoi, i nënshkruam marrëveshjet për vendkalimin kufitar Llojan – Miratoc, që është, tha Zaev, përfitim për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, por në rastin konkret edhe për mbi 95 për qind për shqiptarët edhe nga Serbia dhe nga Maqedonia e Veriut.

“Në shkurt në takimin në Beograd besoj se institucionet doganore të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë do ta nënshkruajnë marrëveshjen për One stop shop në vendkalimin kufitar Qafthanë, siç funksionon tashmë midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Qëllimi kryesor i One Stop shop, gjegjësisht kontrolleve kufitare me një të ndalur është së shpejti të bëhen Non stop shop – gjegjësisht të mos ketë më shumë ndalje. Gjithashtu zbatimi i sistemit pa letra të cilin duhet ta vendosin doganat dhe agjencitë është qëllim i cili është vendosur para nesh”, tha Zaev.

Vendimet e sjella para ca kohësh në kuadër të CEFTA-s gjatë kryesimit të Shqipërisë veçanërisht vendimi për njohjen automatike të operatorëve të autorizuar ekonomik, shtoi Zaev, është diçka e rëndësishme që duhet të theksohet, siç është edhe qëllimi për unifikimin e procedurave për dhënien e lejeve.

Ai, shtoi se në takim është folur edhe për krijimin e mundësive për cilindo banor të secilit vend nga Amerika, Australia… gjatë hyrjes në këtë rajon në vendkalimin kufitar nga Hungaria apo Greqia, Kroacia, të mos i nevojiten më viza plotësuese kur të udhëtojë në rajon.

Në pyetjen e gazetarëve Zaev tha se mbështetja e BE-së dhe e SHBA-së do të thotë vetëm përshpejtim i integrimeve tona në BE dhe asgjë më shumë. BE është rruga jonë, vlerat evropiane janë diçka që qytetarët tanë e presin atë ndërsa detyra jonë si liderë të vendeve është këtë t’ua mundësojmë një orë më parë.

Para takimit katër liderët e Ballkanit Perëndimor e vizituan Durrësin, si shprehje e solidaritetit me qytetarët e Shqipërisë dhe në shenjë mbështetje për banorët e qyteteve dhe vendeve të tjera të banuara që pësuan nga tërmeti i 26 nëntorit.