Pas miratimit, një ditë më parë, dhe nënshkrimi të tij nga kryeparlamentari Xhaferi, Ligji i është dërguar presidentit, njoftojnë nga Kuvendi. Ekspertët juridikë, pa dashur të paragjykojnë vendimin e presidentit, thonë se presidenti është i obliguar që kësaj here ta nënshkruaj ligjin.

“Vendimi i presidentit është vendim i tij, megjithatë ligji dhe Kushtetuta, para së gjithash Kushtetuta, thotë se në këtë fazë bëhet fjalë për obligim jo për dëshirë nëse dëshiron ta nënshkruaj apo jo dekretin, por bëhet fjalë për detyrim të presidentit që ta nënshkruaj dekretin, kur për herë të dytë Parlamenti e miraton ligjin”,- deklaroi eksperti juridik, Mirjana Llazarova – Trajkovska.

Trajkovska dhe Osmani rikujtojnë se shqyrtimi i kushtetutshmërisë së Ligjit është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese dhe jo kompetencë e presidentit.

Kadri Osmani, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i propozuar nga presidenti, nuk deshi të komentojë nëse ligji është në harmoni me kushtetutën ose jo, pasi nuk deshi të prejudikojë një vendim të mundshëm të Gjykatës, nëse ngrihet një procedurë e tillë. 

“Nëse prej tash prononcohem nëse është ligji kushtetues ose jo, do të nënkuptohet si prejudikim i vendimit eventual që do të sjellë Gjykata. Ligji duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë, prej atëherë do të hyjë në fuqi juridike dhe atëherë nëse paraqiten iniciativa konkrete para gjykatës, Gjykata Kushtetuese konform kompetencës që ka do të përcaktohet me vlerësimin e saj konkret”,- u shpreh anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu.

Neni 75 i Kushtetutës thotë: ligjet shpallen me dekret. Dekretin për shpalljen e ligjeve e nënshkruajnë presidenti i Republikës dhe kryetari i Kuvendit. Presidenti i Republikës mund të vendosë të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit.

Kuvendi sërish e shqyrton ligjin dhe në qoftë se e miraton me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, presidenti i Republikës e ka për detyrë ta nënshkruajë dekretin.