A po e lëkundin marrëveshjen Zaev-Gashi, emrat e të burgosurve të gjendur në listën për falje? Alternativa ia rikujtoi Zaevit marrëveshjen e arritur më 5 dhjetor, ku njëra nga pikat ishte edhe hetimi ndërkombëtar për rastet për të cilat ka dyshime për përfshirje politike. Nga Alternativa kërkojnë zbatimin e menjëhershëm të kësaj marrëveshje.

“Një marrëveshje bashkëpunimi në të cilën njëra nga pikat ka qenë edhe dakordimi që Qeveria e RMV-së të kërkojë nga KE-ja hetim ndërkombëtarë për rastet gjyqësore për të cilat dyshohet se ka implikim politik, ku është përfshirë edhe rasti i Almir Aliut të vogël. Duke shpresuar se as kryeministri aktual e as kryeministri i ardhshëm nuk dëshirojnë të luhatin kaq shpejtë bashkëpunimin me Alternativën”, tha Nurxhane Asanovska, Alternativa.

Ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët. Nga kjo parti kërkojnë dorëheqjen e menjëhershëm të ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq dhe zëvendësit të tij Agim Nuhiu, ndërsa para dyerve të Ministrisë së Drejtësisë hedhën ngjyrë të kuqe për të simbolizuar gjakun e atyre që kanë pësuar nga rastet gjyqësore.

“Jemi sot para Ministrisë së Padrejtësisë për të shprehur indinjatën tonë të thellë lidhur me iniciativën e po kësaj ministrie për të kërkuar falje për kriminelët dhe hajdutët në këtë shtet. Bëhet fjala për vrasësin e Almirit, Boban Iliq, për kriminelët që vodhën buxhetin e shtetit me mbi 17 milion euro si Sead Koçan e raste të tilla”, tha Omer Ajdini, Aleanca për Shqiptarët.

Nga Lëvizja Besa, thonë se me ngjarjet e fundit edhe njëherë po goditet sistemi i drejtësisë. Kërkojnë nga presidenti i shteti Stevo Pendarovskit që të marrë seriozisht rastet e ndjeshme dhe të reflektojë.

“Ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut seriozisht po goditet sistemi i drejtësisë me tentimin për të amnistuar persona që kanë probleme me ligjin, siç është rasti i fundit i kryesit të veprës ç’njerëzore- vrasësi i Almirit 4 vjeçar. Me veprimet e fundit të ministrit të drejtësisë dhe zv/ministrit nga BDI po mundësohet amnestimi i kriminelëve dhe keqbërësve në këtë vend”, thanë nga Lëvizja Besa.

Reaguan edhe nga opozitarja VMRO-DPMNE. Thonë se në Maqedoni nuk ka diçka më të keqe se LSDM dhe BDI, ndërsa tentimi për hedhje të fajit është gënjeshtër. LSDM, Zaev dhe Mariçiq dhe të gjithë të përfshirët e kanë ditur se për çfarë bëjnë dhe kush është në listën për falje, përfundojnë nga VMRO-DPMNE.