Pas marrëveshjes së fundit ndërmjet koalicionit PAN dhe Aleancës Kosova e Re për bashkëqeverisje, partneri tjetër i koalicionit, Lista Srpska, ka nisur lëvizjet e para.

Indeksonline mëson se deputetët e këtij subjekti minoritar kanë zhvilluar takime me përfaqësuesit e Beogradit rreth konsultimit për qeverinë “Haradinaj”.

Derisa gjatë ditës së sotme pritet që Srpsk-a të dal me një qëndrim përfundimtar rreth futjes në ekzekutiv.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, Igor Simiq ka deklaruar për “Tanjug” se kërkesa e re e tyre është që ta kenë postin e zv/presidentit të Republikës, ndonëse atyre do t’u ndahen 2 ministri dhe disa zëvendës ministra.

Mirëpo, serbët kanë kërkuar postin e zv/presidentit i cili aktualisht nuk ekziston, por këtë pozitë e kanë planifikuar ta marrin me ndryshime kushtetuese, si dhe Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministrinë për Komunitete dhe Kthim

“Qëndrimet tona janë të njohura. Ne jemi të hapur për bisedime me të gjithë, dhe ata që duan të negociojë me Listën Serbe duhet të tregojnë respekt për popullin serb dhe të punojnë me ne për të përmirësuar statusin e serbëve në Kosovë dhe ‘Metohi’”, thotë shefi për bashkëpunim me mediat dhe deputeti serb (nga Lista Serbe) në Kuvendin e Kosovës Igor Simiç.

Nga ana tjetër, Goran Rakiç, shef i Listës Serbe, deklaroi se është mirë për qytetarët që po lëvizet drejt zhbllokimit të institucioneve.
“Natyrisht, para çdo marrëveshjeje, si gjithmonë, ne do të kryejmë konsultime me qeverinë tonë dhe Presidentin Vuçiç”, tha ai.