Ljatifa Shikovska, është deputetja femër e parë rome që do t’i përfaqësojë romët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Para se të zgjidhet deputete ka qenë aktiviste për të drejtat e romëve, si dhe ka marrë pjesë në aktivitete humanitare.

Bashkë me Ljatifën shkuam në lagjen e romëve.

Ajo tregon për mungesat elementare që ka ky komunitet.

“Kemi shumë fëmijë që nuk janë të kyçur në sistemin arsimor.

Jemi të angazhuar në këtë problematikë do të japim maksimumin që secili fëmijë rom të jetë në bankat shkollore.

Kemi shumë jetimë ku mundohen që të kalojnë muajin, por me ndihmën e Ministrisë për Punë Sociale po ndjehet pak një përmirësim”, tha Ljatifa Shikovska.

Ljatifa thotë një prej problemeve që po hasin romët janë edhe institucionet administrative ku kanë nevojë që të merren vesh meqenëse disa prej tyre nuk dinë të flasin në gjuhën maqedonase.

“Është e rëndë që të jesh femër dhe përfaqësuese e romëve, por unë në periudhën time si aktiviste çdoherë kam qenë e zëshme ashtu do të jetë edhe këtë herë dhe do të jem edhe më e fortë ku me të vërtetë tani janë shanset që partitë, kolegët e partive tjera të kenë një mirëkuptim dhe t’i përkrahin programet që do të jenë për romët”, deklaroi Ljatifa Shikovska.

Ljatifa zotohet se do të jetë zëri i romëve në kuvend dhe do të luftojë për të drejtat e tyre. Ajo ka kohë merret me aktivitete shoqërore për avancimin e pozitës së romëve. Ky është komuniteti më i diskriminuar në vend. Që romët të ndjehen të barabartë, Ljatifa thotë se së pari duhet të ngritet vetëdija te të gjithë qytetarët për të kuptuar se dallimet racore janë tema tashmë të kaluara.