Pushteti lokal në Çair nuk di se kush ndërton para qendrës tregtare Mavrovasja. Nga komuna thonë se investitori është anonim dhe prandaj nuk kanë mundur ta informojnë se objekti është i paligjshëm dhe duhet të prishet. Gjatë kontrollit në teren, punëtorët në objekt nuk kanë dashur ta nënshkruajnë procesverbalin e inspektorëve komunal. Prandaj, nga komuna, siç thonë për Alsat, tani përmes publikimeve nëpër gazeta do ta informojnë pronarin se objekti që e ndërton është i paligjshëm dhe do duhet ta prishë deri në fund të korrikut. Nëse këtë nuk e bën ai vetë, atëherë objektin do ta prishë komuna, por për këtë do duhet të angazhojë kompani.

Kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov sot u distancua nga objekti i paligjshëm, por nga Qeveria do kërkojë t’i marrë të gjitha mbikëqyrjet inspektoriale.

Objekti megjithatë ka procedurë legalizimi, por vetëm për platformën të cilën e ka pasur më parë si kafeneja “Fontana”. Lokali u kaplua nga flakët në muajin maj kur edhe kishte orë policore. Ndërtimi i objektit të ri filloi një muaj më vonë.