kryqi-620x330 kryqi i BDI

Iniciativa e liderit të LR–PDSH-së Ziadin Sela për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit komunal për ngritjen e Kryqit në Butel është kthyer mbrapsht nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Arsyeja kryesore ka qenë se kjo çështje nuk përbën akt juridik dhe si e tillë kjo gjykatë nuk do të shqyrtojë iniciativën. Sot nuk u debatua fare për pikën e nëntë që fliste për nismën e Selës, por i njëjti arsyetim nuk ishte edhe gjatë seancën së 29 qershorit kur u votua kjo nismë, por në mungesë të njërit gjykatës, nuk u arrit të merret një vendim pasi që votat ishin të ndara katër me katër.

Alsat kërkoi reagim nga ana e LR-PDSH-së në të cilin thuhet se Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë të tërhiqet nga përgjegjësitë e saj dhe si e tillë është thjeshtë një instrument politik i pushtetit. 

“Gjykata Kushtetuese nuk mund të amnistohet nga përgjegjësia duke hedhur poshtë lëndë që është në kompetencë të saj. Kjo mënyrë e veprimit dhe shqyrtimit të lëndëve, nuk i ngjan Gjykatës Kushtetuese, por një shtabi partiak që përul dhe cenon kredibilitetin e qytetarëve ndaj institucionit më të lartë Ligjdhënës”, thanë nga LR-PDSH-ja.

Çështja e kryqit në Butel u shoqërua me protesta të organizuara nga ana e BDI-së ku edhe vendosën tenda në hapësirën e paraparë për vendosjen e kryqit duke dalë me deklarata të forta se nëse ndërtohet kryqi, Maqedonia do të shndërrohet në Jerusalem apo Belfast. Pati edhe kundër-protesta nga ana e palës maqedonase por e gjitha kaloi pa incidente të theksuara.