LR PDSH-ja, që nga fillimi ka përkrahur në të gjitha format dhe mënyrat Prokurorinë Publike Speciale si institucion i pavarur gjyqësor i krijuar nga konsensusi politik. PPS ishte e vetmja shpresë për instalimin e drejtësisë në vend duke filluar me procesimin e lëndëve që dolën nga publikimi i përgjimeve të paligjshme si dhe ndjekjen e personave (politikanëve) të implikuar në krim të organizuar, falsifikim zgjedhor, korrupsion dhe në procese të montuara gjyqësore.
Në konferencën për shtyp të PPS, dy ditë para përfundimit të mandatit të saj informoi opinionin publik për ngritjen e 17 aktakuzave për 18 lëndë përfshirë 94 persona fizik dhe 7 Juridik, ku në mesin e tyre edhe politikan dhe lider partie, për të cilën ne vazhdimisht e kemi përkrahur dhe inkurajuar PPS-në.
Megjithatë LR PDSH vlerëson se sot krahas këtyre aktakuzave të publikuara, duhej të ishin edhe aktakuzat për rastin Monstra dhe Lagjja e Trimave, për të cilat po ashtu kemi dhënë kontribut të vazhdueshëm duke e bërë këto raste pjesë e Deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, duke e inkorporuar në programin qeveritare si dhe duke treguar gatishmëri të plotë në mbështetje të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe vazhdimin e mandatit të PPS.
LR PDSH vlerëson se PPS edhe Prokuroria Publike që pritet të reformohet dhe të pavarësohet nga politika, sa më parë dhe me urgjencë duhet t’i zbardhin rastet e Monstrës, të Lagjes së Trimave, Rastin e Sopotit, atë të vrasjes së Harun Aliut, Brodecit, etj, nga se ne dyshojmë në fajësinë e të burgosurve për rastet e lartpërmendura dhe si raste i kemi vlerësuar dhe kategorizuar vazhdimisht si procese të montuara politike.
Vetëm në këtë mënyrë shqiptarët mund t’ju besojnë prokurorisë dhe Gjykatave jo të politizuara. (INA)