LSDM dhe VMRO DPMNE fajësojnë njëra tjetrën për situatën e re me epideminë dhe rritjen e numrit të të prekurve nga “Covid 19” pas zbutjes së masave kufizuese. Sipas LSDM-së, fajtor për rritjen e numrit personave të infektuar është ministri i punëve të brendshme nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Naqe Çulev, i cili nuk ka zbatuar sanksionet për shkelësit e masave. VMRO-DPMNE fajin e hedh te anëtarët e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.

“Gjithë këto numra me të cilat u përballëm këto ditë janë pasojë e drejtëpërdrejtë e disa faktorëve. E para, mospuna dhe sabotimi i masave nga ana e Naqe Çulevit. Ne vend që të merr përsipër përgjegjësinë që masat dhe detyrimet të zbatohen, Çulevi porositi publikisht se nuk do të dënojë. Kështu nxiti shkeljen e masave në masë. Gjithë opinioni e shihte shkeljen e ndalesës për grupime dhe qarkullim dhe shkeljen e orës policore, vetëm Çulevi i injoronte dhe nuk ndërmerrte asgjë.”- tha Snezhana Kaleska-Kançeva, nga LSDM.

“Gjendja dëshmon se institucionet kompetente nuk udhëhiqen nga standardet profesionale por sipas kërkesave të Zaevit dhe Filipçes. Komisioni për Sëmundje Ngjitëse punon sipas shkopit dirigjues të Zaevit dhe jo profesionit. Duket rezultati i diktatit politik. Numër i madh i të infektuarve të rinj në një ditë si dhe çdo ditë ka edhe të vdekur.”- tha Kiril Lazov, nga VMRO-DPMNE.