LSDM përpiqet që sa më shpejtë të formohet qeveria në RM, pasi, siç thonë, qytetarët, por edhe shoqëria në përgjithësi presin që kriza në Maqedoni të përfundojë sa më shpejtë.

“Nuk ka asnjë moment të ri në pjesën e bisedimeve. Grupet e punës biseduan. Për momentin po bëhen konsulta brenda dy partive politike. Në takimin e nesërm me Han do të bisedojmë për vështrimet e tij, por do t’ia paraqesim edhe këndvështrimet tona për situatën politike dhe formimin e qeverisë së re në RM”, theksoi Pece Mirçeski nga LSDM.

Në ndërkohë, kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në një takim me ambasadorin turk, në vend, ka deklaruar se në Maqedoni janë krijuar kushte për zgjedhje të parakohshme. Fajin për dështimin e tij në përpjekjen për të formuar qeveri ia ka hedhur faktorit të huaj dhe vendeve fqinje.

“Në 20 ditët e para nga ndarja e mandatit partia kishte bisedime për formimin e koalicionit me BDI-në. Në këtë periudhë ishte e qartë përfshirja e faktorëve të huaj, përfshirë edhe vendet fqinje, që rezultoi me hartimin e platformës së re të partive shqiptare”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.