LSDM ka strategji që në mënyrë demokratike ta zhbllokojë Kuvendin, por me javë të tëra nuk ndërmerr diçka konkrete, e as nuk shpalos ndonjë mënyrë si do ta bëjë një gjë të tillë. Sot në pyetjen e gazetarëve, përgjigje konkrete nuk dha as nënkryetari i LSDM-së dhe deputeti Damjan Mançevski, i cili pohon se plani nuk publikohet, me qëllim që të shmanget konflikt mes qytetarëve.

Do të lejoni që kohën dhe tajmingun ta mbajmë për vete, për të shmangur çdo mundësi për çfarëdo lloj konflikti në mes të qytetarëve. Deri më tani mund të them se shumica parlamentare, ata që dhanë nënshkrimet e tyre, qëndrojnë prapa këtyre nënshkrimeve, dhe se në mënyrë të koordinuar do të veprojmë në periudhën e ardhshme – tha Damjan Mançevski, LSDM.

Sipas Mançevskit zgjedhjet e reja parlamentare nuk janë opsion, pasi ekziston sipas tij mundësia që të përsëritet rezultati i njëjtë zgjedhor, ndërsa më pas Ivanovi sërish të mos e japë mandatin. LSDM-ja konsideron se urgjentisht duhet të zgjidhet kryeparlamentari, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar kaosin që do të ndodhë edhe në vetëqeverisjen lokale. Mandatet e Kryetarëve të komunave skadojnë për më pak se një muaj, ndërsa Kuvendi për këtë shkak tani nuk është në gjendje të shpallë zgjedhjet lokale.

Në Maqedoni kemi praktikë të mëparshme se si zgjatet mandati i autoriteteve lokale, dhe ajo bëhet vetëm me vendim të Kuvendit të Maqedonisë. Kështu që e vetmja mënyrë për të dalë nga kaosi që vijon me humbjen e mandatit të autoriteteve lokale, është Kuvendi menjëherë të zgjedhë kryeparlamentar i cili do jetë në gjendje ti shpallë zgjedhjet lokale  – tha Mançevski.

Mançevski vlerëson se duhet të mundësohet transferim paqësor i pushtetit dhe të respektohet vullneti i shumicës së qytetarëve.