Ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko tetë vite me parë kishte përkujtuar Shkupin zyrtar, që të heshtë dhe të respektojë shënimin e vijës kufitare me Kosovën, sepse përndryshe sipas tij, do të hapej kapitulli i historisë për Shën Naumin e Ohrit, që i ishte dhuruar Serbisë nga mbreti Zog.
Majko atëkohë kishte përkujtuar opozitën maqedonase që të mbyll gojën pasi nuk kanë të drejtë të flasin për çështjen e kufijve sa i përket shqiptarëve.
“Imagjinoni çdo të ndodhte për shembull sikur Shqipëria të rihapte dosjen e Shën Naumit në Ohër apo natyra të ndryshme problemesh. Mendoj se këto gjëra i ka mbyllur historia e së kaluarës dhe mendoj që tanimë me vendimin e marrë nga parlamentet e të dy vendeve është hapur një kapitull shumë i rëndësishëm”, tha Majko.
Ai ka folur edhe për Marrëveshjen e Ohrit, të cilën e ka cilësuar si një marrëveshje e pambyllur. “Të gjithë shqiptarët, qofshin në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni, janë duke pritur që ky hap i sapohedhur, i rëndësishëm gjeopolitik të shoqërohet me hapa të tjera”, tha Majko.
Ndryshe, ish-kryeministri i Shqipërisë gjatë viteve të luftës në Kosovë ka qenë njëri prej kritikuesve më të ashpër të politikës maqedonase ndaj shqiptarëve, duke propozuar që shqiptarët e Maqedonisë ta djegin në mes të Shkupit flamurin e këtij shteti pas problemeve me Enciklopedinë. (INA)