Malajzia dëboi tre shtetas turq të akuzuar nga Ankaraja për lidhje me një predikues të dyshuar për orkestrimin e grushtit të dështuar të shtetit të 2016 kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Kreu i policisë kombëtare, Khalid Abu Bakar deklaroi në një postim në Twitter se tre burrat u dërguan në Ankara pavarësisht shqetësimit të ngritur nga organizatat e mbrojtjes së të drejtave të Njeriut, që i druhen faktit që Kuala Lumpur nuk mundi t’i rezistojë presioneve të Turqisë.

Turgay Karaman dhe Ihsan Aslan ishin arrestuar javën e fundit duke iu përmbajtur një ligji që lejon qëndrimin në burg për personat pa proces gjyqësor për një periudhë 28 ditore. Më pas, pedagogu turk, Ismet Ozcelik pësoi të njëjtin fat, zyrtarisht për arsye të sigurisë kombëtare.

”Hetimi i policisë dëshmoi se ata ishin përfshirë në aktivitetet e FETO-s dhe se kërkoheshin nga Turqia”, njoftoi policia.