Me konkursin letrar dhe pjesëmarrjen e nxënësve të zgjedhur prej nëntë shkollave fillore të Komunës të Çairit, ka nis të enjten shënimi i Aktiviteteve “Java e Mësuesit”, shkruan gazeta KOHA. Ky aktivitet, i cili u hap me nxënësit e dalluar të shkollave nga lënda e gjuhës dhe letërsisë shqipe do të përmbyllet si zakonisht në datën 7 mars, ditën kur bota shqiptare do të shënon 131 vjetorin e Ditës së Mësuesit, respektivisht themelimit të shkollës së parë shqipe të vashave në Korçë.

Në nderim të kësaj ngjarje me peshë historike, Komuna e Çairit për të disatin vit me radhë organizon një sërë aktivitetesh me karakter garues dhe kulturor. Por e veçanta e këtij viti është se në fokus të aktiviteteve janë albanologët dhe gjuha shqipe. Në takimet me veteranët e arsimit, që do të mbahet më 6 mars, mesin e mirënjohjeve dhe pllaketave që do të ndahen me këtë rast spikasin emrat e tre albanologëve dhe arsimtarëve veteran, profesorëve Hamza Rekës, Xhevat Gegës dhe Remzi Nesimit. Në shenjë mirënjohje për kontributin që ata kanë dhënë për arsimimin e gjeneratave dhe avancimin e studimeve të gjuhës shqipe profesorëve Reka, Gega dhe Nesimi do t’ju ndahen pllaketave posmortum për këtë vit, pohon Nuhi Dardhishta përgjegjësi për arsim në Komunën e Çairit.

Ky thotë se është vendimi që ka sjellë një Komision i posaçëm që është ngritur në Komunën e Çairit për shënimi e aktiviteteve të Javës së Mësuesit”. Arsyeje për këtë përcaktim, sipas tij përkon gjithashtu me një moment tjetër të veçantë. Jemi në kohën kur gjuha shqipe, respektivisht rregullimi ligjor i saj është temë aktuale, kur Parlamenti pritet të nxjerr Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. E parë në këtë aspekt, kemi konsideruar se është e rendit që edhe në kuadër të aktiviteteve tona të veçojmë këtë vit, kontributin e veteranëve albanolog, shpjegon Dardhishta. E thënë figurativisht jemi në vitin e albanologëve dhe gjuhës shqipe dhe për këtë arsye, Komuna e Çairit po nxjerrë në plan të parë pikërisht këta dy element në kuadër të aktiviteteve të sivjetshme të Javës së Mësuesit. Në takimin me veteranët e arsimit, që do të zhvillohet në datën 6 mars në hapësirat e Komunës së Çairit do të ndahen edhe mirënjohje për 13 mësimdhënësit dhe edukatorët e dalluar të shkollave dhe kopshteve të kësaj komune.

Ndërkaq, Akademia solemne do të organizohet të nesërmen, më 7 mars, në Qendrën Kulturore Informative me pjesëmarrjen e gjerë të arsimdashësve dhe personaliteteve nga jeta publike. Në po këtë aktivitet do të zbulohen edhe emrat e nxënësve fitues nga Konkursi letrar “Mësuesi, modeli dhe frymëzimi im” që u zhvillua të enjten (në datën 1 mars) në Shkollën Fillore “Imri Elezi”. Pjesë e aktiviteteve të sivjetme do të jetë edhe kolonia me piktor të rinj, konkretisht nxënësit e nëntë shkolla fillore të Komunës së Çairit, punimet e të cilëve do të ekspozohen në Galerinë e arteve “Çifte Hamam” në datën 5 mars.

“Java e Mësuesit 2018” mbahet nën patronatin e kryetarit të komunës, Visar Ganiut dhe për të katërtin vit me radhë në kujdesin e Sektorit për arsim të Komunës së Çairit. Ideja është sensibilizimi dhe kultivimi i frymës pozitive te nxënësit me ngjarje të cilat kanë shënuar historinë e lavdishme të shqiptarëve. Një prej tyre është pa dyshime dhe themelimi i shkollës së parë të vashave në Korçë në 7 mars të vitit 1887. Kjo shkollë ka hyrë në histori si ngjarja që hapi një faqe të re në rrugën e pavarësimit kulturor dhe arsimor të shqiptarëve, që në atë kohë ishin nën pushtimin e Perandorisë osmane.