Ajdin Sherifi dhe bashkëshortja e tij për të dytën herë me radhë nuk do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë. Kjo sepse njësoj si për zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit të viti 2016, edhe në këto zgjedhje, ata nuk figurojnë në listën zgedhore.

“Pyeta pse nuk jam në listë, unë këtu kam lindur, këtu kam shkuar në shkollë, këtu punoj me vite. Më thanë të lajmërohem në njëfarë barake në Butel. Shkova atje, kishte një person kujdestar që na priti, krejt mirë, më tha se për këto zgjedhje parlamentare është vonë, por do të vendosim në një listë që për zgjedhjet e ardhshme do të jesh në listë. Tani kur e publikuan listën pashë që përsëri nuk jam, as un as bashkëshortja ime”, u shpreh Ajdin Sherifi, qytetar.

Ky nuk është rasti i vetëm, ka shumë paraqitje të qytetarëve edhe për persona fantom që jetojnë në adresa të ndryshme të qytetarëve, thekson kryetari i qendrës për liri “Civil” Xhabir Deralla. Sipas tij, KSHZ dhe MBP po bartin qytetarët nga një institucion në tjetrin, pa ofruar zgjedhje konkrete, ndërsa votuesit inekzistent nuk zhduken por vetëm ndërrojnë adresë banimi.

“Kemi situata ku qytetarët reagojnë se në adresat e tyre kanë votues fantom dhe ndodhë që gjatë korrektimit të listës zgjedhore, të fshihen banorët e vërtetë nga ajo adresë, ndërsa të mbesin fantomët. Gjithashtu shohim që edhe kësaj here votuesit fantom po barten nga një adresë në një tjetër, kështu që në një rast që kemi dokumentuar, kemi listë zgjedhore ku kemi vetëm një votues fantom, ndërsa pas një kohe atij fantomi i shtohet edhe një fantome”, u shpreh Xhabir Deralla, kryetar i Qendrës për liri “Civil”, njofton TV21.

Nga Civil presin që edhe në periudhën e ardhshme të ketë incidente dhe parregullsi, ashtu sikur edhe në ditën e zgjedhjeve. Nga ana tjetër, nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor theksojnë se nuk kanë punuar në pastrimin e listës zgjedhore, sepse nuk është institucioni përgjegjës për një gjë të tillë, ndërsa listën e kanë marrë të gatshme nga MPB dhe Ministria e Drejtësisë.

“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka ndonjë ingerencë të drejtpërdrejtë për ndryshimin e të dhënave në listën zgjedhore, ajo merret nga MPB dhe ministria e Drejtësisë, dhe në bashkëpunim me entin statistikor”, tha Arjeta Xhemaili, Zëdhënëse e KSHZ-së.

Pastrimi dhe azhurnimi i listës zgjedhore ishte njëri nga rekomandimet kryesore të komunitetit ndërkombëtar për sa i përket besueshmërisë të zgjedhjeve. Dyshimet për ekzistimin e personave fantom vijnë edhe nga kryqëzimi i të dhënave të entit shtetëror për statistika dhe komisionit shtetëror të zgjedhjeve. Përderisa në Entin shtetëror qëndron se në Maqedoni ka mbi 2 milion banorë, në listën e votuesve të KSHZ-së ka 1.8 milionë qytetarë me të drejtë vote. /Fol/

https://www.youtube.com/watch?time_continue=33&v=5iZSyGWDak8