Online-mësimi për studentët prej të hënës duhet të organizohet në të gjitha fakultetet nga universitetet shtetërore dhe private në vend, për shkak të kushteve që imponon rreziku nga përhapja e coronavirusit.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, sot ka pasur takim me rektorin e UCM-së dhe përfaqësuesin e të gjitha universiteteve shtetërore, prof.dr. Nikolla Jankullovski, dhe me prof. dr. Tome Nenovski, kryetar i Konferencës së institucioneve private të arsimit të lartë.

Pas takimit, në konferencë për shtyp, ata kumtuan se universitetet janë të pajisura në aspektin informatik dhe teknik dhe profesorët janë të gatshëm të kontribuojnë për organizimin e mësimit në largësi për studentët. Rrethanë
lehtësuese, tha Ademi, është që për dallim nga fillestarët e klasave më të ulëta, këtu bëhet fjalë për studentë, të cilët janë të shkathët në shfrytëzimin e IT aparateve dhe veglave dhe aplikacioneve edukative.

“U pajtuam që në ditët në vijim të gjitha njësitë në përbërje të universiteteve të investojnë përpjekje maksimale që të vendoset formë e caktuar e online-mësimit në interes të studentëve tanë dhe të fillojë të realizohet nga java e ardhshme. Ky lloj i mësimit nuk është i parealizueshëm dhe, praktikisht, një pjesë e fakulteteve tani më e zbatojnë në pjesën e rregullt të vitit studimor”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ademi.

Rektori Jankullovski, kumtoi se sot kanë caktuar rend të ditës për seancën e jashtëzakonshme të Rektoratit të UCM-së me rregullore të përgatitur për funksionimin e Universitetit në kushte të tilla.

“UCM që më 11 mars, para se të shpallet masa, e kanë ndërprerë mësimin dhe menjëherë ka vendosur mësim në largësi për pothuaj të gjitha programet e njësisë së Universitetit”, tha Jankullovski.

Kryetari i Konferencës së institucioneve private të arsimit të lartë, Nenovski, tha se në kushte ku është me rëndësi të mbrohet shëndeti, është e domosdoshme të vendoset sistem pakontakt me veglat edukative, përmes të cilave studentet do të mësojnë nga shtëpia dhe në mënyrë digjitale do të komunikojnë me profesorët.