Qytetarët do të mund të vozisin trotinete elektrike vetëm në shteg për çiklistë. Shpejtësia e lejuar do të jetë 25 km në orë. Në trotuar mund të lëvizni me 6 km në orë por vetëm nëse nuk ka shteg të shënuar për çiklistë. Nëse personi vozit në rrugë, do të gjobitet me 80 euro. Kështu shkruan në propozimin për ndryshim të ligjit për siguri në komunikacion i cili javën e kaluar kaloi në seancë qeveritare.

Duke marrë parasysh se propozim ligji parashikon që me trotinet të lëvizni vetëm në shteg për çiklistë ose në trotuar, vendosëm që të vozisim nëpër Çair në rrugën Cvetan Dimov dhe të shohim se si do të dukej një gjë e tillë.

Në këtë rrugë nuk ka shteg të shënuar për çiklistë kështu që qytetarët do të duhet të vozisin në trotuar. Siç shihet nga pamjet, kjo nuk është e mundshme për shkak se ka vetura të parkuara në mënyrë të parregullte por edhe shtande dhe tarraca nga dyqanet.

Andaj, ata që kalojnë me trotinet duhet të dalin në rrugë me çka mund të gjobiten me 80 euro.

Derisa të votohet ligji, mbetet që vetë qytetarët të kenë kujdes se si dhe ku do të kalojnë me trotinetet e tyre. Sipas ndryshimeve të reja të ligjit, personi që do të kapet në rrugë do të paguajë gjobë prej 80 eurove.

Propozim –Ligji

Ndalohet lëvizja nëpër rrugët dhe bulevardet me trotinet elektrik, përveç në shtigjet për çiklistë, ndërsa atje ku nuk ka shtigje të tilla, lejohet të përdoren trotuaret. Nëse nuk mbani jelek në mbrëmje gjoba është 50 euro, për lëvizje në rrugë, 80 euro, ndërsa nëse vozisni me shpejt nga shpejtësia e lejuar – 120 euro.

Me ndryshimet e reja vetëm personat mbi moshën 14 vjeçare do të mund të vozisin trotinet elektrik. Përndryshe, para tre muajve vozitës i trotinetit elektrik humbi jetën në aksident në Manastir. Para një muaji, në një aksident trafiku një shkupjan 36 vjeçar u lëndua rëndë. Shumë vende evropiane në mënyra të ndryshme e rregullojnë përdorimin e trotineteve elektrike. Në Britaninë e Madhe dhe në Irlandë ato janë ndaluar për përdorim në rrugët dhe trotuaret dhe mund të voziten vetëm në truall privat. Gjoba për përdorimin e tyre në hapësirë publike është 325 euro dhe 6 pika sanksionuese në patent shoferin. Në Suedi ndalohen automjete në shtigjet për çiklistë të cilët lëvizin me shpejtësi mbi 20 km në orë. Në Paris, gjoba për vozitje të trotineteve elektrike është 135 euro në trotuar dhe 35 euro për parkim në mënyrë jo të rregullte që e pengojnë lëvizjen në trotuaret./TV21