Në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, janë regjistruar vlera të larta të ndotjes së ajrit, përkatësisht prania e grimcave kancerogjene PM10 , duke arritur dhjetë herë nga niveli i lejuar.

PM10 u referohet sasisë të grimcave që ndotin ajrin në mikron për metër kub.

Ambientalistët thonë se ndotja e ajrit me përmasa të këtilla kërkon një angazhim urgjent nga autoritetet përkatëse, pasi kërcënon shëndetin e qytetarëve në kohën kur përballen edhe me pandeminë e koronavirusit.

Në këtë drejtim, ministri i Ambientit në Maqedoninë e Veriut, Naser Nuredini në një intervistë për Radion Evropa e Lirë pranon se nuk ka arritur të realizohet ulja e shkallës së ndotjes së ajrit për 50 për qind, në bazë të planit që kishte paraparë dikasteri që përfaqëson, nga shkaku se nuk ka arritur të ndryshohet sistemi ngrohës në shumë institucione. Ai si problematike ka apostrofuar edhe mungesën e më shumë kontrolleve për funksionimin e prodhuesve industrial.

Nuredini thotë se pandemia e koronavirusit, veçanërisht gjatë orës policore, ka dëshmuar se transporti urban më masë të dukshme është ndotës i ambientit.

Ministri Nuredini thotë se problemi i ajrit të ndotur do të zgjidhet përmes ndryshime ligjore që parashohin gjoba shumëfish më të larta për ndotësit e ajrit, të cilët pos që duhet të paguajnë gjoba do të obligohen të rikuperojnë dëmin e shkaktuar nga ndotja e ajrit.

“Në ligjin e vjetër dënimi maksimal ishte 100.000 euro; me ndryshimet në vitin 2018, ishte 10.000 euro dhe ne tani kërkuam që të mundësohet që dënimet të jenë 20 herë më të larta, përkatësisht të jenë 200.000 euro“, ka thënë Nuredini.

”Të gjithë duam të kemi ajër të pastër, mjedis jetësor të pastër, mirëpo të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të sillemi në mënyrë të përgjegjshme”, ka theksuar Nuredini.

Por, ambientalistët thonë se ka shumë ngecje në lidhje me realizimin e planit për pastrimin e ajrit, duke fokusuar mungesën e mjeteve financiare, pastaj mosfunksionimin e qendrave matëse për shkallën e ndotjes së ajrit, si dhe pamundësinë e posedimit të një fotografie të qartë për ndotjen e ajrit.

Ambientalistët kanë fokusuar si shumë problematike edhe mungesën e kapaciteteve të inspektorëve të mjedisit jetësorë.

“As qeveria dhe as Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinorë nuk jep të dhëna të sakta se deri ku ka arritur realizimi i planit që ka për qëllim pastrimin e ajrit, dhe shmangjen e ndotësve. Nuk kemi të dhëna se kur mund të priten analizat finale. Cilat janë shkaqet që kanë penguar realizimin e këtij plani”, thonë nga organizata ambientaliste O2.

Në bazë të ndryshimeve ligjore për kundërvajtje që pritet të marrin vizë nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, të gjithë ata që në ndonjë mënyrë ndotin mjedisin, do të dënohen me gjobë, madje në vlerë deri në 5 mijë euro.