Me ndryshimet e reja në Ligjin për parandalimin e larjes së parave dhe financim të terrorizmit, kufiri i pagesës kesh do të rritet nga 500 në 3 mijë euro. Ndryshimet u miratuan pas një procedure të shkurtuar në seancën parlamentare të mbajtur më 27 dhjetor, me iniciativën e një grupi deputetësh.

Përkrahës të propozimit për të rritur kufirin e pagesës kesh ishin deputetët Ejup Alimi, Rexhail Ismaili, Agim Shaqiri, Aleksandar Filipovski, Agim Murtezanov dhe Mirosllav Jovanov. 54 deputetë votuan në favor të ndryshimeve, pa asnjë abstenim, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ministria e Ekonomisë me arsyetimin për të ulur ekonominë në të zezë e uli pragun e pagesës në kesh nga 15 mijë në 2 mijë euro. Më 1 janar 2019 ky prag u ul në 1 mijë euro, ndërsa nga qershori në 500 euro.

Ministri i atëhershëm i Financave Dragan Tevdovski, tha se kjo masë është një nga arsyet e raportit pozitiv të Komisionit Evropian në fushën kundër ekonomisë gri.

Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi nga publikimi në Gazetën Zyrtare.