Kryetari i BDI, Ali Ahmeti ka hedhur poshtë propozimin e VMRO-DPMNE-së, për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme për të zgjidhur krizën politike në Maqedoni. Ndërkohë, vazhdon bllokimi i punimeve të kuvendit.

Kryetari i BDI, Ali Ahmeti bëri të ditur se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk e zgjidhin krizën politike të Maqedonisë. Këtë qëndrim kundër propozimit të VMRO-DPMNE, ai e dha pas takimit me drejtuesin e Këshillit Europian për Mardhënie të Jashtme, Karl Bildt.
Ndërsa ish-ministri i jashtëm suedez u bëri thirrje partive politike që të zgjidhin ngërçin politik me anë të respektimit të kushtetutës dhe praktikave demokratike. Duke qëndruar tek kriza politike, situata vazhdon e njëjtë pa asnjë zhvillim ndryshe në punimet e kuvendit. Deputetet e VMRO-DPMNE vazhdojnë me strategjinë e tyre për të mbajtur peng zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri dhe anëtarëve të komisionit për zgjedhje dhe emërime. Edhe të martën vazhduan replikat dhe kundër replikat e deputetëve të kësaj force politike.
LSDM nga ana tjetër këmbëngul që të vendoset në votim propozimi i tyre që të kalohet në pikën tjetër të rendit të ditës, përkatësisht zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri. Por kjo kërkese është rrëzuar nga drejtuesi i seancës, Trajko Veljanovski.
Depueti i BDI, Ejup Alimi, pyeti kolegët e tij në kuvend pse nuk është problem përdorimi i gjuhës greke në Gjevgjeli por ngrini problem për gjuhën shqipe, gjuhë të cilën e flet 25% e popullatës në Maqedoni. Alimi tha se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë legjitime e garantuar edhe me Marrëveshjen e Ohrit  dhe nuk ka pse të jetë problem për ndokënd. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të VMRO, Ilija Dimovski, i cili tha se krahasimi që bëri deputeti Alimi është jo korrekt. Dimoski tha se deklarata e përbashkët e partive shqiptare kërkon ri-negocimin e Marrëveshje paqësore të Ohrit, ku në mënyrë precize është definuar përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni.