Mes materialeve të përgjimeve në Maqedoni, janë edhe qindra biseda dashurie dhe romance të qeveritarëve dhe politikanëve. Këto materiale që cenojnë privatësinë e shumë personaliteteve, nuk dihet se a janë hapur apo ku do të përfundojnë, pasi ka dyshime se ato mund të shpërndahen në opinion dhe rrjetet sociale, por edhe mund të përdoren si dëshmi kushtëzuese ndaj viktimave që janë protagonistë të bisedave.

Një përfaqësues i opozitës thekson për portalin “INA” se në mesin e materialeve voluminoze të përgjimeve janë edhe shumë biseda private, ku protagonistë janë qeveritarë, përfaqësues të partive politike, biznesmenë dhe personalitete tjera publike.

Por, sipas tij, nuk përjashtohet edhe tema të tilla.

“Ka edhe materiale të tilla, por ato nuk shikohen për shkak të privatësisë ose nuk do të bëhen publike asnjëherë, për shkak se cenojnë privatësinë e çdo personi publik. Siç e dimë, Zaev ka publikuar disa biseda që kanë të bëjnë me jetën private të personaliteteve publike”,- theksoi një përfaqësues i opozitës.

Megjithatë nuk dihet në të ardhmen se sa do të jenë të mbrojtura këto materiale dhe ekziston mundësia e shpërthimit të tyre në opinion, duke hapur shumë skandale, sikur në disa shtete të tjera që kanë ndodhur raste të tilla.

Po ashtu jozyrtarisht mësohet edhe për skandale seksuale nëpër zyrat qeveritare, ku dyshimet janë edhe për zyrtarë shqiptarë. INA