Prej kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja ligjore të Kodit Penal për gjuhën e urrejtjes, gjegjësisht prej shkurtit të vitit 2014-të, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona me të holla për gjuhë të urrejtjes. Numri i ndëshkimeve është mjaft i vogël, krahasuar me paraqitjet në platformën digjitale “Paraqite dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes” të cilët për të njëjtën periudhë kanë regjistruar 341 raste, ndërkaq Policia ka dorëzuar padi penale për 24 raste, njofton Portalb.mk.

Policia me tempo të ngadaltë e ka hetuar gjuhën e urrejtjes, ndërsa gjyqësori nuk e ka dënuar, duke pasur parasysh numrin e madh të paraqitjeve që janë bërë vetëm në platformën digjitale qytetare për paraqitje të gjuhës së urrejtes. Pos kësaj, në Maqedoni, sidomos në kohën e pushtetit të VMRO-DPMNE-së, sipas analizës të Portalb.mk, gjuha e urrejtjes ka qenë mjaftë e theksuar dhe ka pasur raste eklatante ku publikisht persona dhe grupe të caktuara kanë qenë të ekspozuara ndaj këtij fenomeni që dënohet sipas ligjit, por e njëjta nuk është ndjekur dhe dënuar nga organet e rendit.

Sipas të dhënave që kemi siguruar, gjatë periudhës 2014-2018-të, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona me të holla, edhe atë në vitin 2017-të.

Për periudhën e njëjtë, Ministria e Punëve të Brendshme ka evidentuar edhe 22 raste të tjera të gjuhës së urrejtjes, por asnjëra nga to nuk ka marrë epilog gjyqësor në Gjykatën Penale të Shkupit.

Gjykata dy personat i ka dënuar, sipas nenit 181 të Kodit Penal, i cili parasheh dënim me para ose me burg deri në 3 vjet për personin që tallet me ndonjë shtet të huaj ose përfaqësues të lartë shtetëror të saj.
Nga ana tjetër MPB më së shumti padi ka ngritur për “rrezikim të sigurisë nëpërmjet rrugës së sistemit informatik sipas nenit 144 paragrafi 4” – 19. Për “shkaktim të urrejtjes, mosmarrëveshjes ose intolerancës në bazë nacionale, racore, fetare ose në bazë ndonjë diskriminimi tjetër sipas nenit 319 paragrafi 1”, MPB ka dorëzuar 4 padi. Nga 1 padi, për “diskriminim racor dhe diskriminim tjetër sipas nenit 417 paragrafi 1” dhe “shkelje të barazisë së qytetarëve sipas nenit 137 paragrafi 1” dhe asnjë padi për shpërndarje të materialeve raciste dhe ksenofobe nëpërmjet sistemit kompjuterik, sipas nenit 394 G paragrafi 1.

Të dhëna të tjera për gjuhën e urrejtjes mund shikohen edhe nga platforma në internet “Paraqit dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes”. Qytetarët në këtë ueb-platformë kanë paraqitur dhjetëfish më shumë raste ku është përdorur gjuha e urrejtjes në krahasim me paditë penale që i ka dorëzuar policia.

Sipas statistikave që dalin nga kjo ueb-platformë, prej vitit 2014-të deri në vitin 2018-të, qytetarët kanë paraqitur 341 raste ku është përdorur gjuha e urrejtjes, ndërkaq prej tyre më së shumti e njëjta është përdorur për shkak përkatësisë etnike, politike dhe seksuale.