Qeveria e kryeministri Zoran Zaev ka thënë se 16 milionë eurot e marra hua së fundmi do të destinohen për kthimin e borxheve që i ka shkaktuar Qeveria e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski me realizimi e projekteve joproduktive, përderisa VMRO vlerëson se ekzekutivi në mënyrë të papërgjegjshme i çon qytetarët drejtë varfërisë
Marrja e borxheve të reja për të shlyerjen e borxheve të vjetra ndikon negativisht në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit. Kështu thonë ekspertët ekonomik, sipas të cilëve, Maqedonia nuk është më në nivelin e qëndrueshmërisë financiare, ndërsa mungojnë aktivitetet ekonomike që u paralajmëruan me pompozitet për zgjidhjen e ngërçit të krizës që ka kapluar vendin. Së fundmi, Qeveria e kryeministri Zoran Zaev ka thënë se 16 milionë eurot e marra hua do të destinohen për kthimin e borxheve që i ka shkaktuar Qeveria e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski me realizimi e projekteve joproduktive, përderisa VMRO vlerëson se ekzekutivi në mënyrë të papërgjegjshme i çon qytetarët drejtë varfërisë.
Arben Halili ekspert i ekonomisë për Radion Evropa e Lirë thotë se pavarësisht nevojës që ka Qeveria e Maqedonisë për të kthyer borxhet, duhet pasur shumë kujdes sepse huamarrjet nuk janë në funksion të ekonomisë, nuk janë në funksion që të mund të gjenerojnë edhe për një kohë të gjatë prodhime dhe shërbime, të cilat më vonë do mund t’i kthejnë mjetet e marra hua.
“Fatkeqësisht, Maqedonia akoma nuk është në atë nivel të qëndrueshmëisë financiare, që të mund të shlyejë detyrimet e viteve paraprake nga ndonjë aktivitet ekonomik që tanimë do të duhej të kishte ndodhur. Kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të shërbej si alibi për Qeverinë aktuale duke u arsyetuar se paratë borxh të marra nga Qeveria e kaluar dhe tani të njëjtën gjë po e bëjmë edhe ne. Përkundrazi, janë sektorët përkatës, Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë, janë ato që duhet të gjejnë rrugën që do të çonte kah zgjidhja e këtij problemi, duke aplikuar masa përkatëse që do të shërbejnë si katalizatorë, që do të kishte efekte pozitive në gjallërimin e ekonomisë së vendit, përkatësisht të rritet bruto prodhimi vendor dhe të sigurohen të ardhura të mjaftueshme në formë të tatimeve,që të mund të zvogëlohet trendi i huamarrjes i instaluar tanimë që nga Qeveria e kaluar”, thotë Halili.
Ndryshe, sipas planit të Strategjisë Fiskale të Ministrisë së Financave, Qeveria në tre vitet e ardhshme duhet të kthejë borxh prej rreth një miliard euro. Ministria e Financave e Maqedonisë ka bërë të ditur se në katër mujorin e parë të këtij viti, borxhi publik ka shënuar vlerën prej 5.084 miliardë euro që përbën 47.2 për qind të bruto prodhimit vendor, e që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është më i ulët për 0.4 %,gjegjësisht 47.6 për qind aq sa ishte borxhi publik gjatë katër mujorit të parë të 2017-s, dhe 48.5 për qind, sa ishte në të njëjtën periudhe gjatë vitit 2016.
Megjithatë, Zoran Ivanovski nga Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Shkupit për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet pasur shumë kujdes sa i përket pragut të huamarrjes.
“Ka shumë dallim mes shteteve sa i përket asaj se sa ata kanë kapacitet të përballojë borxhin publik. Sa i përket Maqedonisë, niveli maksimal që mund të përballojë arka e shtetit është 60 për qind e bruto prodhimit vendor, por për të pasur stabilitet ekonomik është me shumë rëndësi që ky prag mos tejkalohet. Që do të thotë se edhe kundrejt planit fiskal që parasheh borxhi publik të qëndrojë 56 për qind, është mirë që të jemi më të kujdesshëm sa i përket huamarrjes”, thotë Ivanoski. Ndryshe, institucionet ndërkombëtare disa herë kanë paralajmëruar autoritetet e vendit që të jetë e kujdesshme sa i përket thellimit të borxhit publik dhe marrjes së huave, duke tërhequr vërejtjen se duhet mirë menduar se për se dhe ku duhet destinuar mjetet e marra hua./REL/