Nëpërmjet një marshi protestues, LSDM-ja së bashku me shoqërinë civile dhe qytetarët shënuan ditën e 11 tetorit të Luftës Nacional-Çlirimtare. Nën moton “Lufta vazhdon, zëri fiton” qytetarët shënuan këtë festë në një formë ndryshe. Lideri i opozitës Zoran Zaev, theksoi se ky marshim realizohet me qëllim të përmirësimit të jetës në Maqedoni dhe kthimin e dinjitetit të qytetarëve. Ai shtoi se të gjitha paratë e vjedhura nga pushteti aktual, do t’u kthehen qytetarëve.

“Marshuam për kthimin e shtetit në duar të qytetarëve, po e marrim nga mafia dhe familja e Nikolla Gruevskit. Marshuam për rikthimin e parave tek qytetarët. Do t’i kthejmë të gjitha, deri në denarin e fundit. Çdo gjë që vodhën, do t’i kthejmë të gjitha… Sot marshuam për rroga dinjitoze me të cilat do të mund të jetohet e jo të mbijetohet. Marshuam për punëtorë të mbrojtur dhe të kënaqur, për kompani të vogla dhe të mëdha që do të fitojnë ndihmë të madhe nga shteti. Ku do t’i gjejmë parat? Ja nga atje para, do t’i kthejnë paratë e vjedhura, kanë për të kthyer gjithçka”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Ndërkohë qytetarët thanë se ky marsh ka të bëjë me veten e tyre, me përmirësimin e kushteve për jetesë dhe me ruajtjen e kujtesës historike.

“Protestojmë për kthimin e demokracisë, për të drejtat e njeriut, thjeshtë për një jetë të lirë, të kthehen të rinjtë në Maqedoni, të kemi një jetë dinjitoze”.

“Të shfaqim revoltën tonë ndaj këtij pushteti, për luftën, demokracinë, lirinë dhe në tërësi për të gjitha problemet që i tangojnë qytetarët”.
“Shesin patriotizëm ndërsa asgjë nga ai patriotizëm nuk njohin. Andaj duam të porosisim se Maqedonia ka edhe patriot që e duan dhe e çmojnë të kaluarën”.

“Marshojmë sot për demokraci për lirinë e këtij populli maqedonas”.

Marshi filloi nga zyrat e Prokurorisë Speciale, ndërsa eventi qendror u realizua para Kuvendit të Maqedonisë. Aty vijuan disa fjalime nga përfaqësues të shoqërisë civile si dhe këngë e poezi me motive nacionale maqedonase si shenjë përkujtimi të kryengritjes së 11 tetorit të vitit 1941. /Alsat-M