Ministria e Arsimit, i kërkon Komunës së Studeniçanit, që së bashku me prindërit të arrihet zgjidhja, lidhur me bojkotin për katër javë në shkollën fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në fshatin Vërtekicë të Komunës së Studeniçanit.

Ministria e Arsimit, thotë se kryetari i kësaj komune ka vepruar sipas ligjit për mbylljen e një paraleleje dhe përzierjen e klasave në një të vetme. Ministria e Arsimit njoftoi se Inspektorati shtetëror, ka ngritur procedurë në nivel komunal për të zgjidhur çështjen.

“Problemi duhet të zgjidhet mes tyre, të ketë ndonje marrëveshje. Komunat kanë të drejtë t’i bashkojnë klasat. Me informacionet që posedon Ministria e Arsimit, bëhet fjalë për 14 nxënës të ndarë në katër paralele, prej klasës së parë deri në klasën e nëntë”, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Këshilli i prindërve vazhdon të këmbëngulë se bojkoti do të vazhdojë deri në tërheqjen e vendimit për kthimin e paraleleve në gjëndjen fillestare dhe kthimin e arsimtarit në punë, i cili u pushua nga puna me shuarjen e një paraleleje.

“Jo nuk do ti lejojmë fëmijët me dërguar në shkollë. Sepse vetë ai ka thënë se puna po bëhet në vija partiake.. Nuk do lejoj fëmijët me shkuar shkollë”, tha Llokman Zeqiri, prind.

Një ditë më parë kryetari i Komunës së Studeninçanit Azem Sadiku, ai tha se bashkimi i paraleleve është bërë në mënyrë ligjore, si rezultat i numrit të vogël të nxënësve në këtë shkollë.

“Kjo tollovi që po bëhet atje, nuk bëhet për asgjë por e shfrytëzojnë për çështje politike, këtu nuk ka politikë. Nuk ka çështje inati dhe nuk duam t’i dëmtojmë fëmijët, por dikush po manipulon me qytetarët dhe atje kanë nisur ta kuptojnë, tani kam informacion se ka filluar mësimi, apeloj deri te fshatarët t’i kthejnë fëmijët në shkollë dhe mos të humbin mësimin”, tha Sadiku.

Për mbylljen e paraleles në fshatin Vërtekicë të Komunës së Studeniçanit, ka reaguar edhe deputeti i zonës nga Lëvizja Besa, Rexhep Memedi, sipas të cilit kjo është hakmarrje politike e kryetarit të komunës.

“Me këtë akt personi në fjalë ka për qëllim të bëjë hakmarrje politike dhe t’u shkaktojë dëm banorëve të f. Vërtekicë, sepse aty pësoi humbje në zgjedhjet lokale. Prandaj ai ka vendosur ta largojë nga puna arsimtarin e kësaj paraleleje vetëm se pse ai nuk ishte përkrahës i tij në zgjedhjet e fundit lokale”, tha Memedi.

Jozyrtarisht TV21 mëson se vendimi për përzierjen e paraleleve nuk do të marrë dritë jeshile në këshill komunal. Si sot katër javë më parë, shkolla periferike “Mustafa Kemal Ataturk” akoma nuk ka nisur me gjysëmvjetorin e dytë të vitit shkollor.