Ditën e sotme ka mbërritur në Shqipëri, në një vizitë zyrtare, ushtruesja e detyrës së presidentes në Kosovë, Vjosa Osmani.

Më parë Osmani ka ndaluar në Lezhë, për një homazh të Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë. Ndërsa në Tiranë është pritur nga presidenti Ilir Meta. Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës do të zhvillojë një vizitë 3 ditore në vendin tonë, ku do të takohet me liderët e shtetit si edhe me kryetarët e partive politike në Shqipëri.

Ajo që tërhoqi vëmendje ishte maska e Vjosa Osmanit, e cila mbante flamurin e Kosovës dhe Shqipërisë, në fotot e mëposhtme mund të shikoni momentet e shkëputura nga pritja e organizuar në Presidencë.

Kjo është agjenda e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri:

Të mërkurën (16 dhjetor), në orën 13:30, u.d. e presidentes do të bëjë nderime te memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut në qytetin e Lezhës.

Në orën 15:30 u.d. e presidentes do të pritet me ceremoni shtetërore nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Në orën 17:00 do të mbajnë konferencë të përbashkët për medie.

Të enjten (17 dhjetor), në orën 09:30, u.d. e presidentes, Osmani, do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. (Vendi: Zyra e Kryetarit të Kuvendit, Kryesia e Kuvendit, përballë godinës se Kryeministrisë).

Ndërsa në orën 10:15 u.d. e presidentes do të bëjë nderime dhe do të vendosë kurorë lulesh te varrezat e dëshmorëve të kombit.

Në orën 12:30 u.d. e presidentes së Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani, do të mbajë fjalim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Në orën 16:00 u.d. e presidentes së Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani, do të takohet me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Të premten (18 dhjetor), në orën 10:00, u.d. e presidentes Osmani do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. (Vendi: Selia e PD-së).

Ndërkaq në orën 11:00, në Bashkinë e Tiranës, do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të “Çelësit të Qytetit”.

Kurse në orën 11:45 u.d. e presidentes, Osmani, do të ketë takim me ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.