Dy muaj me radhë kemi rënie të prodhimit industrial, ulje të vlerës së eksportit, vonim të pagave mujore dhe mos pagim të kontributeve pensionale dhe shëndetësore, zvogëlim të investimeve kapitale, si dhe vonesë të pagesave të subvencioneve, shkruan gazeta KOHA. Gjendja tregohet edhe më alarmante nëse analizohen të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës për numrin real të të punësuarve, për të cilat paguhen kontributet për pension dhe sigurim shëndetësor.

Të dhënat e ESHS-së për kuartalin e parë të këtij viti tregojnë se numri i të punësuarve në Maqedoni kap shifrën prej 731.107, ndërsa sipas Fondit për Sigurim Pensional, Invalidor dhe Sigurim Shëndetësor, kontribute për pension dhe sigurim shëndetësor paguhen vetëm për 509.844 të punësuar, gjegjësisht për rreth 200 mijë punonjës nuk paguhen rregullisht kontribute për pension dhe sigurim shëndetësor.

Nga viti 2009, në Maqedoni është në fuqi Ligji i cili parasheh pagesë të rrogës bruto për çdo të punësuar, që do të thotë të gjithë të punësuarit nuk mund të marrin rrogë nëse paraprakisht punëdhënësi nuk paguan kontributet për pension dhe sigurim shëndetësor. Atëherë shtohet pyetja se si është e mundur që nga 731.107 të punësuar, sa ka për momentin në Maqedoni, kontribute të paguhen vetëm për rreth 510 mijë punonjës!. Ndërkohë, Fondi për Sigurim Pensional, Invalidor dhe Sigurim Shëndetësor ka evidentuar 510 mijë punonjës për të cilët paguhen në kohë kontributet për pension dhe sigurim shëndetësor.

Arsyeja e vetme se pse në kohë nuk ka pagesa të kontributeve për pension dhe sigurim shëndetësor, sipas ekspertëve ekonomik është për shkak se ekonomia e Maqedonisë ndodhet para një sfide të madhe dhe nëse partitë politike nuk reagojnë shpejtë për formimin e Qeverisë së re, vendi me hapa të sigurt po shkon nga recesioni.