Në Hasanbeg të Shkupit policia mbrëmë arrestoi tre persona sepse kanë thyer orën policore, ndërsa banorët janë përgjigjur duke dalë në rrugë për të kërkuar lirimin e tyre dhe në këtë mënyrë kanë thyer edhe orën policore.

Sipas të dhënave të para ata kanë dëmtuar dhe vjedhur barrierat në rrugë që shërbenin për të ulur shpejtësinë e veturave.

“Hasanbegu respekton orën policore, unë çdo natë dal dhe shoh, nuk ka pasur kurrfarë problemi. Por kjo sonte nuk e di pse ndodhi. Policia të sillet pak më mirë, se po sillet shumë keq. Tash një muaj nuk ka pasur probleme, nuk di se si erdhi deri te ky moment. Netëve tjera nuk kishte problem, ka lëvizur ndonjë fëmijë, ka shkelur orën policore, por problem më të madh nuk ka pasur”, tha kryetari i Bashkësisë Lokale të Hasanbegut.

Ndërkohë sa u përket pengesave për ndalim të shpejtësisë, sipas kreut të Bashkësisë Lokale të Hasanbegut, janë vendosur me iniciativë dhe kontribut të vet banorëve dhe nuk ka arsye që banorët t’i heqin apo mënjanojnë këto pengesa.