Është mbyllur mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit. Këshilli do të përgatisë tashmë raportin për t’ia paraqitur Parlamentit për kërkesën e Prokurorisë ndaj Saimir Tahirit e cila kërkon heqjen e imunitetit, arrestimin e tij me frikën mos shaktërron provat në Shqipëri ose Itali dhe kontrollin e banesës.

Tahiri është treguar i hapur për kontrolle dhe hetime, por ai nuk është dakord që të burgoset pa prova.

Jashtë dyerve, pasi ka dalë nga mbledhja, Tahiri ka thënë për gazetarët që ai nuk e pranon këtë proces politik duke kërkuar për dëshmitarë kundër tij emra të njohur politikanësh.

“Mbledhja e sotme eshtë akti i dytë i një esktrade të paralajmëruar. Unë jam i vendosur t’i shkoj deri në fund. Vështirësitë janë të mëdhaja dhe në këtë rrugë do të ketë vështirësi pa fund por unë nuk do të rrëzohem kurrë. Kjo që ndodhi sot nuk e kanë bërë as fashistët. Të thonë shko në burg e na provo që s’ke marrë 5 milionë euro në muaj, është estradë. Do i kisha ftuar miqësisht të sjellin një provë të vetme. Nëse nuk sjellin provë të sjellin Saliun dëshmitar. Nëse nuk vjen Saliu të vijë djali i tij, Shkëlzeni, i cili la të vdekur 26 vetë në Gërdec. Nëse nuk vijnë këta, të vijë Ilir Meta, të vijë Monika, të vijë Lulzim Basha.  Nëse këta nuk kanë pasur kurajo të përballen për hallet e tyre me drejtësinë,  të përballen me mua për drejtësinë që unë meritoj”, tha Tahiri.

Tahiri vijon të theksojë që ky është një proces politik kundër tij. “Jam i pari që dua që e vërteta të dalë . Nuk hezitoj as të përgjohem as kontrollohem. Le të vijnë e të kontrollojnë në banesë, nuk kam problem. Por nuk e pranoj të më thonë futu në burg e më pas na provo pafajësinë. Pranoj çdo lloj hetimi por nuk pranoj kurrë një gjyq politik”, tha Tahiri.

Këshilli do të dalë me një raport që do të paraqitet të mërkurën përballë Parlamentit.