Vendosja e kryqit në Butel me inicimin e udhëheqësit të Kongresit Botëror Maqedonas Todor Petrov të përkrahur nga VMRO-DPMNE ngjalli në opinion reagime të shumta, të cilët, intelektualë të shumtë maqedonas dhe shqiptarë nuk ngurruan ta quanin një farsë politike të radhës mes pushtetit VMRO-BDI. Sa herë që afrojnë zgjedhjet, vendi kurdiset nga pushteti për të inskenuar ngjarje të tilla provokuese për ta defokusuar krimin dhe korrupsionin qeveritar brenda 10 vjetëve të fundit. Si shenjë pakënaqësie dhe revolte kundër vendosjes së kryqit erdhi paralajmërimi dhe nga funksionarët e lartë të BDI-së, të cilët kërcënuan me protestë dhe prishjen e gurthemelit të kryqit, gjë që kjo dhe shkaktoi kundërprotesta dhe përleshje me policinë.

Dyshimi është evident, BDI në pushtet i kundërvihet inicimit të kryqit me protestë dhe prishje të gurthemelit. Ku të çon kjo logjikë e shfrenuar e tyre? Ka një përgjigje të vetme: Farsë tragji-komike e BDI-së gjoja se reagimet e tyre janë beteja për t’i fituar në kauzë të çështjes kombëtare. Megjithëse, të jesh në pushtet dhe të protestosh kundër pushtetit kjo është metamorfoza e logjikës së tyre, që tashmë është shterrur nga frika e humbjes së pushtetit. Dhe, realisht, kryqi ishte një lojë e fshehtë mes koalicionit të përkryer mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, të cilët reagojnë kur preken veç interesat e tyre.
Reagime përgjatë protestës së BDI-së kundër kryqit, si lojë për përfitime politike, erdhi dhe nga media austriake oe24.at, që i kushtoi një interesim protestës së BDI-së ndaj prishjes së gurthemelit të kryqit, megjithatë raportimi i medias austriake ishte sensacional. Ngjashëm si raportimet për konflikte ndër-fetare që bëhen në shtetet afrikane dhe përcillen me dhunë të tmerrshme. Reagimi i gazetës austriake erdhi me titullin “Myslimanët shqiptarë shkatërrojnë themelet e Kryqit të krishterë”.

Vandalizmi i BDI-së pothuajse nuk u prit mirë as nga mediat tjera europiane, dhe kjo tregoi që veprimet e BDI-së dëmtuan imazhin e gjithëmbarshëm të shqiptarëve në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri. Atyre nuk ju bëhet vonë që për interes të ngusht partiak, janë të gatshëm të shesin dhe dëmtojnë interesat e përgjithshëm të kësaj shoqërie që me mund i ka vënë përcaktimet dhe objektivat e veta kombëtare. Megjithatë, pasojnë disa ditë qetësie, jo se BDI e fitoi këtë betejë, porse VMRO i përdor të njëjtët sa herë që i kërkohet nevoja për përfitimet e veta politike. Ndoshta konflikti do të rishfaqet kur PS Katica Janeva të publikojë të 15 të dyshuarit e ri për korrupsion dhe keqpërdorime të tjera, shqiptarë dhe maqedonas, të BDI-së, respektivisht të VMRO-së.

Andaj, kryqi ishte vetëm se një defokusim i situatës politike që e kanë zhytur vendin në krizat më të thella që nga pavarësia e vendit e gjermë sot, dhe ç’është më e keqja ende vijojnë ta shndërrojnë krizën politike në një humbëtirë për të gjithë ne. Por, populli është ndryshe është kthjellur dhe nuk do të bjerë në këtë logjikë të shfrenuar që t’i dëmtojë interesat e veta për hir të interesave klanore partiake.

Megjithëse, beteja për kryqin ende nuk ka përfunduar, vazhdon…

©Fol.mk