Vazhdojnë të dalin në sipërfaqe parregullsitë e listës zgjedhore dhe skandalet e saj. Pas disa hulumtimeve, Alsat M zbuloi të dhënat për 115 banorë të regjistruar në një shtëpi të vetme. Shtëpia dy dhomëshe gjendet në rrugën “Dimçe Mirçev” në Komunën Qendër dhe dy banorët e vërtetë të saj ishin po kaq të habitur kur kishin marrë lajmin se ligjërisht, ata janë të regjistruar kinse bashkëjetojnë me mbi 100 persona që nuk i kishin njohur kurrë.

“Këtu jetoj vetëm unë me gruan. Jemi vetëm dy persona në këtë shtëpi. Nuk është e vërtetë që ka 115 ose 120 por jemi vetëm ne. 70 metër katror është shtëpia, s’ka më shumë. Këtë e bëjnë politikanët. I paraqesin në rrugën “Dimçe Mirçev pa numër ose gjejnë dikë me numër dhe për këtë edhe Alfat kur vinë kërkojnë disa njerëz në këtë numër. Unë i kthej, ju them se s’është e vërtetë që ata njerëz jetojnë këtu. Për këtë kam dëgjuar dje nga komshinjtë se ka të paraqitur 115 persona te ne. Kjo s’është e vërtetë. Hyni brenda dhe kontrolloni, s’është askush… Duhet të kesh shtëpi të madhe, gjithë lagja që është këtu në “Dimçe Mirçev” dhe këtu të jetojnë, përndryshe ku do jetojnë?”, deklaroi Hasani, banor i shtëpisë.

Hasani dhe zonja e tij Nesibja u ankuan që shfrytëzohen për zgjedhje kurse nuk marrin as ndihmë sociale. Madje ata dhe komshinjtë e tyre thanë se gjatë zgjedhjeve, atyre u ofrohet para ose produkte ushqimore për të votuar.

“Herën e parë një qese shpageta dhe një me miell, nuk e di të cilit vit. Dhe ata shpagetat ndoshta të distribuuara nga Turqia ose Italia, aq.
Ju kanë ofruar?
Po. Te shtëpia ime nuk ka të paraqitur. Ka të paraqitur të komshinjtë. Edhe në fund rrugës te Jane. Atje jetojnë nëna, babai me fëmijët.

Ka qenë kjo gjë prej më herët?

Kjo ndodh për herë të parë. Kjo është për në lajme dhe Bashkimi Evropian të vijë këtu dhe të vijë edhe ministri”, tha një banore.

Gjatë hulumtimit, rast të ngjashëm dhe po kaq të dyshimtë, Alsat M zbuloi edhe në rrugën “Maksim Gorki” të Komunës Qendër, në njërën nga banesat e të cilës, janë të regjistruar 66 banorë. Nga Komisionit Shtetëror Zgjedhor, gjatë dy ditëve të fundit kanë qenë të pakapshëm për Alsat për të sqaruar se nëse numri i ankesa është shumë i madh si do të përballet ky institucion rastet e këtilla, si dhe a do të bëhet kontroll në terren edhe për këto raste./Alsat-M/