Gazetarët meksikanë protestuan sot pas gjetjes së trupit të djegur të një kolegut të tyre, në vrasjen e gjashtë të një reporteri këtë vit, në vendin më të rrezikshëm në botë për punonjësit e medias. Kolegët e gazetarit të vrarë Salvador Adame vizatuan në tokë fjalët “SOS Press” me shkronja të mëdha në Michoacan, shteti perëndimor ku ai u mor peng dhe u vra, si deh në kryeqytetin Mexico City dhe gjashtë qytete të tjera në të gjithë vendin.

“Ne duam të shtojmë ndërgjegjësimin për situatën e dobët ku e gjejmë veten, gazetarët, fotografët, kameramanët, redaktorët dhe të gjithë gazetarët,” tha Enrique Castro, organizator i protestës në kryeqytetin e Michoacan, Morelia. “Në Meksikë asnjëherë nuk mund të dish nëse dikush do të vijë për të të vrarë prej punës tënde, ose si në rastin konkret për një krim të rëndomtë apo hakmarrje personale”, tha ai.

Rreth 50 gazetarë protestuan para selisë së qeverisë në Morelia dhe disa dhjetra në kryeqytet. Ata në qetësi mbanin lart fotot e 44 vjecarit Adame, që drejtonte stacionin televiziv rajonal Canal 6. “Problemi është se nuk ka kurrë arrestime, nuk ka kurrë të dënuar. Ata vetëm vazhdojnë të na vrasi dhe të na sulmojnë”, tha fotografi Victor Galindo për agjencinë AFP.
Adame u rrethua nga njerëz të armatosur më 18 maj në Nueva Italia. Të hënën, autoritetet njoftuan se kishin gjetur trupin e tij dhe prokurori i Michoacan tha se me shumë gjasa vrasje kishte ndodhur për “motive personale”, çka u kundërshtua nga familja dhe kolegët.