Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi u kërcënua me braktisjen e mundshme të bisedimeve për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës. Megjithëse nuk zbuloi afatin konkret kur do i braktiste ato, Thaçi tha se vendimi i tij vjen si rezultat i mos trajtimit të asnjë nga çështjet e rëndësishme për shqiptarët në këtë dialog ndërpartiak. Madje sipas Thaçit / Kreu i PDSH-së u shpreh mosbesues për një epilog pozitiv rreth çështjeve të mbetura nga Marrëveshja politike ndërkohë që fajin për këtë ia faturoi BDI-së e cila sipas tij është e dorëzuar. 

Nga ana tjetër Brukseli konfirmoi qëndrimin se çështja e mediave duhet të përmbyllet përpara 20 shkurtit, respektivisht afatit të fundit kur komuniteti ndërkombëtarë do të inspektojë arritjet rreth pikave të mbetura nga Marrëveshja e Përzhinës. Teksa ndërmjetësi belg Piter Vanhojte qëndron në Bruksel për konsultime, partitë politike po bëhen gati që të martën të rinisin me intensitetit më të lartë bisedimet rreth çështjeve të mbetura me listën zgjedhore dhe mediat. Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijncic në një deklaratë për Alsat nënvizoi se letra e ambasadorëve Aivo Orav dhe Xhes Bejli nxjerrin në pah vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar që fjala e lirë të jetë e garantuar, në mënyrë që të sigurohet përfaqësimi objektiv dhe i paanshëm i ngjarjeve, me trajtim të barabartë të pikëpamjeve dhe mendimeve të ndryshme.

“Në letrën e përbashkët të BE-së dhe SHBA-ve, tregohen qartë qëndrimet e Komisionit Evropian se si e vlerësojmë rrjedhën e bisedimeve. Pozitat tona janë të qarta për sa iu përket reformave”, deklaroi Maja Kocijancic .

Pozicionet e faktorit ndërkombëtar janë përkrahur edhe nga shoqatat mediatike ndër të cilat edhe Asociacioni i Mediave Nacionale që cilat përfaqësojnë 75 për qind të tregut mediatik. Kërkesat e kësaj organizate janë në përputhje me standardet evropiane, dhe me propozimin e shtruar që në dhjetor nga ndërmjetësi Vanhojte, qëllimi i të cilave mbetet liberalizimi i sektorit mediatik, ulja e gjobave dhe shtimi i masave korrigjuese para gjobitjes, garantimi i lirisë së shprehjes, de-politizimi i hapësirës mediatike si dhe ndërtimi i një platforme për demokratizimin e mëtejshëm të televizioneve. Mbetet që dy partitë më të mëdha të merren vesh rreth asaj se cili propozim duhet kaluar, ai i LSDM-së e cila hoqi dorë nga vërejtjet e saj, me kushtin që të pranohet propozimi i ndërmjetësit Vanhojte, ose ai i VMRO-DPMNE-së i cili është i formuluar sipas ligjit gjerman i kombinuar me atë belg dhe slloven./Alsat-M