Edhe përskaj paralajmërimeve të autoriteteve se regjistrimi është operacion i pastër statistikor, i nevojshëm për krijimin e politikave të ardhshme zhvillimore të vendit, aktivitetet e fundit të funksionarëve shqiptarë që në mënyrë intensive agjitojnë që mërgata shqiptare të regjistrohet, janë vetëm vërtetim se regjistrimi është shumë më i rëndësishëm se sa vetëm statistikë.

Ky agjitim i funksionarëve shqiptarë ka shkaktuar edhe nervozë te pala maqedonase dhe mediumet e tyre të cilët kanë kritikuar ashpër edhe thirrjen e fundit të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti ndaj mërgatës shqiptare të regjistrohet, duke e quajtur si përzierje në punët e brendshme të shtetit. Pas shumë apeleve të shumë figurave publike shqiptare në vend dhe jashtë saj, por edhe pas mobilizimit të diasporës nëpër shoqata të ndryshme shqiptare në Zvicër, Austri, Gjermani, SHBA, Suedi, Norvegji, Belgjikë, Itali etj, është rritur numri i mërgatës shqiptare që janë regjistruar ditëve të fundit, përkatësisht vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 11.500 persona.

Por përveç shoqatave, organizime po bëhen edhe nëpër xhamia në diasporë, si psh nga kryesia e xhamisë “Drita” në Pralten të Zvicrës, por edhe në xhaminë e Çikagos ku me anë të një postimi në Facebook u apelojnë shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut që kanë probleme me regjistrimin nëpërmjet platformës, https://census.stat.gov.mk/ që ato të paraqiten në objektet e xhamive përkatëse ku do tu ndihmohet në regjistrimin e tyre. Ky regjistrim është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse shumë të drejta që përcakton Kushtetuta e vendit, varen nga përqindja e një bashkësie etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Analisti politik, Berat Azizi thotë se akuzat dhe nervoza e palës maqedonase ka të bëjë me frikën e numrit të saktë të shqiptarëve dhe nga ana tjetër mos interesimit të mërgatës së tyre për tu regjistruar.

“Kam përshtypjen se mediat maqedonase nuk e kanë pritur se mërgata shqiptare këtë proces e ka marrë me aq shumë seriozitet dhe përkushtim madje duke regjistruar çdo anëtarë dhe duke ndihmuar njëri tjetrin. Ky solidarizim dhe kjo thirrje e përbashkët e shqiptarëve drejtuar mërgatës disi ka trazuar mediat maqedonase dhe ka nxjerr në pah gjuhën e tyre të urrejtjes dhe të nacionalizmit. Pavarësisht fushatës denigruese të mediave maqedonase mërgata shqiptare gjithnjë e më shumë po organizohet dhe po regjistrohet”, shprehet Azizi ndërsa shton se pohimet se Albin Kurti përzihet në punët e brendshme të shtetit, nuk kanë të bëjnë farë me realitetin për shumë arsye. “Maqedonasit duhet ta kenë të qartë se Kurti thjesht është një lider partie dhe ka të drejtën tu bëjë thirrje shqiptarëve të regjistrohen njëjtë sikurse e bën Ahmeti, Sela, Gashi apo edhe Kasami. Pra një thirrje që nuk ka të bëjë me përzierje në punët e brendshme, por një thirrje për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Tendenca e disa mediave maqedonase është të minojnë procesin e regjistrimit madje duke shkuar aq larg sa edhe të vënë në pikëpyetje mbajtjen e regjistrimit me lloj lloj arsyesh si pandemia, numrat jo real, etj”, ka deklaruar për KOHA, Berat Azizi, analist.

Përmes aplikacionit online për vet-regjistrim deri më tani nga jashtë janë evidentuar 95.500 persona, procesi vazhdon deri më 21 prill. Përmes aplikacioni regjistrohen shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët qëndrojnë jashtë vendit, për shkak të punës apo shkaqeve tjera, deri dhe më gjatë se 12 muaj. Procesi i vet-regjistrimit filloi 1 mars, ndërsa do të zhvillohet deri më 21 prill.

Prej 1 marsit deri më 15 mars u regjistruan edhe të punësuarit në përfaqësitë diplomatike-konsullare dhe anëtarët e familjeve të tyre të cilët qëndrojnë me ta jashtë vendit, shtetasit e Maqedonisë së Veriut me punë në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e saj, përfaqësitë apo përfaqësues të odave ekonomike jashtë vendit, njësitë afariste jashtë vendit, përfaqësitë ushtarake të Armatës së RMV-së jashtë vendit dhe qytetarët që janë të angazhuar në bazë të bashkëpunimit ndërkombëtar, teknik apo tjetër, si dhe anëtarët e familjeve/amvisërive të tyre që qëndrojnë jashtë vendit me personat e cekur si dhe të gjithë personat – shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në çfarëdo baze qëndrojnë jashtë shtetit, pa marrë parasysh periudhën e tyre të qëndrimit. Regjistrimi i popullatës në vend do të zbatohet prej 1 deri më 21 prill 2021. Enti shtetëror për statistika publikoi edhe konkurs të tretë plotësues për angazhimin e personave të cilët do të marrin pjesë në zbatimin e Regjistrimit të popullatës, amvisërive dhe banesave në RMV. (koha.mk)