Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur zemërimin e saj për faktin se nga darka me presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, dhe kryeministren britanike Tereza May në Londër – në prag të Samitit të javës së kaluar të BE-së – rrodhën detajet që dëshmojnë atmosferën negative në atë takim.

“Nuk është konstruktive të ndizet më shumë atmosfera”, ka thënë Merkel, raporton Der Spiegel.

Detajet e bisedave janë publikuar javën e kaluar në të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung (FAS). Të mërkurën, nga zyra e kancelares thonë se detajet janë publikuar qëllimisht nga vet Junckeri ose shefi i zyrës së tij, politikani gjerman Martin Selmayr.

Në darkë u diskutua për kushtet me të cilat duhej të zhvillohej Brexiti, ndërsa informatat e rrjedhura dëshmojnë për qëndrime të kundërta mes Britanisë dhe BE-së.

Juncker me këtë rast citohet të ketë thënë se “Brexiti është i destinuar për dështim” dhe se kryeministrja britanike “jeton në Galaktikë”. Po ashtu, kanë dalë detajet që thonë se ka pakënaqësi mes vet ekipit të kryeministres May.

Sipas FAS-it, Juncker në mëngjes – pas darkës së dështuar në Londër – e thirri kancelaren gjermane Merkel, e cila më pas ka ndryshuar tekstin e saj adresuar Bundestagut, në lidhje me Brexitin, duke mprehur tonin kundër Britanisë së Madhe.

Një nga pikat kryesore të përleshjeve në darkë ishte bllokada e Britanisë për miratimin e bnuxhetit shumëvjeçar të Bashkimit Evropian. Spiegel citon përfaqësuesin gjerman në Parlamentin Evropian, Jens Geier, i cili shprehu dyshime se Britania e Madhe, në “atmosferë toksike” – që ndikoi edhe në daljen e detajeve në publik – ka heq dorë nga bllokimi i fondeve. Siç shkruan Der Spiegel, fjala është për disa miliardë euro të caktuara për programet e papunësisë së të rinjve dhe përmirësimin e kufijve të jashtëm të BE-së.