Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka deklaruar sot se asaj nuk i pengon që Ivanka Trump për pak kohë e ka zënë vendin e babait të saj, Donaldit dhe i është bashkuar shefave të shteteve dhe qeverive në njërin nga takimet gjatë Samitit G20 në Hamburg.

Më herët, një anëtar i delegacionit rus ka publikuar një fotografi në Twitter në të cilën shihet se si e bija e Trumpit ulët në karrigen e tij, transmeton AP.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trump është larguar nga Samiti për pak kohë ku më pas Ivanka është ulur përpara kur drejtori i Bankës Botërore ka folur për tema të rëndësishme për fondin e ri për ndërmarrësinë e femrave që ajo e drejton.

Merkel u ka thënë gazetarëve se delegacionet vendosin vet se kush ulet në tavolinë në përfaqësim të presidentit.

“Ivanka Trump është pjesë e delegacionit amerikan kështu që kjo është në pajtim me atë që bëjnë edhe delegacionet tjera. Është e ditur botërisht se edhe ajo punon në Shtëpinë e Bardhë dhe se ka përgjegjësi për disa iniciativa”, u ka thënë Merkel gazetarëve.