Kosovës i është dashur ndërrimi i qeverisë që të dalë nga karantina. Ministri i ri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë me dije se Kosova nuk do të ketë më orë policore për mbrojtjen nga koronavirusi.

Ora e fundit policore që u aplikua në Kosovë ishte ajo mes orës 9 të darkës dhe 5 të mëngjesit, pra 8 orë ku asnjë qytetar i Kosovës nuk mund të dilte nga shtëpia.

Tashmë zyrtarisht Kosova prej të hënës del nga karantina.

“Nga dita e hënë hiqet kufizimi i lëvizjes nga ora 21:00 deri në ora 05:00. Do të vazhdojmë ta përcjellim situatën epidemiologjike në Kosovë, por lusim qytetarët që t’iu përmbahen rregullave dhe masava mbrojtëse kundër COVID-19. Kërkojmë nga qytetarët, bizneset dhe gastronomia që t’i respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së. Çdo shkelje e rregullave cilësohet si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë”, ka thënë ministri i sapozgjedhur i Shëndetësisë.