Ndërsa bota po merrej me çështjen e inaugurimit të presidentit të ri amerikan, në një cep të Afrikës Perëndimore gjërat rrezikonin të dilnin jashtë kontrollit.

Bëhet fjalë për zgjedhjet presidenciale në shtetin e Gambias.

Yahya Jammeh, presidenti jetëgjatë i këtij vendi, që erdhi në pushtet në vitin 1994 pas një grushti shteti, humbi krejt papritur zgjedhjet.

Ai u mund nga Adama Barrow, biznesmen i pasurive të patundshme, që dikur kishte punuar si roje sigurie në dyqanet Argos në Londër.

Kur u duk se Jammeh, i cili dikur ishte shprehur se me vullnetin e Zotit do të qeveriste vendin për miliarda vite, do largohej në mënyrë paqësore, ndodhi e papritura.

Ai deklaroi se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve.

Vendi rrezikonte të shkonte drejt një konflikti.

Fqinjët afrikano-perëndimore e kërcënuan presidentin Jammeh me ndërhyrje të armatosur nëse nuk pranonte verdiktin.

Vetë Barrow u betua si president në Senegalin fqinj.

Pas ditësh të tëra tensioni, Jammeh vendosi të largohej për në ekzil me avion.

Por BBC raporton se përpara se të largohej, ai e ka ngarkuar avionin me makina luksoze dhe mallra të tjerë.

Jo vetëm kaq, por ai ka zbrazur edhe arkat e shtetit të varfër, duke marrë prej andej 11 milionë dollarë.

Mendohet se Jammeh do vendoset në Guinenë Ekuatoriale.

Jammeh njihej si një njeri që i urrente homoseksualët dhe druhej shumë nga shtrigat.

Ai pretendonte se mund të kuronte astmën dhe AIDS-in.