Tashmë është zyrtare. Lionel Messi është i lidhur përjetë me Barcelonën.

Klubi katalanas, nëpërmjet faqes zyrtare të internetit, bëri të ditur arritjen e marrëveshjes me sulmuesin 30-vjeçar për rinovimin e kontratës deri në 30 qershor të vitit 2021.

Barcelona bën të ditur gjithashtu se Messi do të firmosë kontratën e re në javët në vazhdim, kur ai do t’i bashkohet pjesës tjetër të skuadrës për të nisur përgatitjet për sezonin e ri.

Në komunikatën e Barcelonës nuk përmenden detajet e kontratës së re të Lionel Messit, por, sipas asaj që publikohet në median spanjolle, ajo do të shoqërohet me një rritje të klauzolës në 300 milionë euro.