Shefi i partisë opozitare VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pohon se tashmë ka filluar pagesa e mjeteve ndaj Bechtel dhe Enka edhe pse ende nuk kanë filluar punët për ndërtimin e korridoreve. Thotë se në llogarinë e Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore janë transferuar 120 milionë euro.

“Para dy ditëve nga thesari i Ndërmarrjes publike për Rrugë Shtetërore i janë transferuar para përmes Ministrisë për Transport dhe Lidhje, rreth 7 miliardë e 250 milionë denarë, gjegjësisht 120 milionë euro dhe supozojmë se ata para tashmë gjenden në llogarinë e kompanisë realizues të këtyre akseve të korridorit 8, përkatësisht 10D. Ju, qytetarët, para dy ditëve keni paguar 120 milionë euro për asgjë, nuk kanë ngulur asnjë gozhdë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së .

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk e demantoi këtë informacion. Tha se sipas marrëveshjes kanë filluar proceset e domosdoshme për fillimin e punëve. Opozita njëjtë si për shumë punë të tjera ashtu edhe për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10D po përhap histeri të panevojshme, thotë Kovaçevski.

“Në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar, në bazë të këtij ligji, e obligoi Ministrinë për transport dhe lidhje që t’i fillojë të gjitha procedurat e duhura për fillimin e aktiviteteve për projektim, angazhim të të gjitha resurseve të duhura për fillimin e punëve dhe për realizimin e transaksionit të mjeteve financiare sipas marrëveshjes e që janë për fillimin e punëve. Nuk ka pika penale, këto janë gënjeshtra të opozitës, siç mund të shihni, çdo ditë konfirmojnë se të vetmen gjë që po e bëjnë është përhapje e histerisë”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Pagesë para kohe po bëhet para lidhjes së çdo marrëveshjeje për të gjitha projektet e deritanishme, ashtu po veprohet edhe për marrëveshjen me Behtel dhe Enka, pohon drejtori i NP Rrugë shtetërore, Ejup Rustemi.

“Patjetër se ne në fillim të punëve, të gjitha kompanive u paguajmë para kohe për mobilizim të kompanisë që do të ndërtojë dhe për të gjitha shpenzimet e tjera. Ashtu veprojmë edhe për marrëveshjen me Behtel dhe Enka dhe sipas programit që kaloi në Qeveri, për pagimin e të gjitha mjeteve, ne i respektojmë marrëveshjen dhe programin e Qeverisë, për shkak se ato mjete janë mjete buxhetore dhe ne i realizojmë të gjitha transaksionet që rrjedhin nga marrëveshja”, pohoi Ejup Rustemi, drejtor i N.P. Rrugë Shtetërore.

Konsorciumi amerikano-turk Behtel dhe Enka parashihet që t’i ndërtojë katër autostradat e korridorit 8 dhe 10D. Afati i realizimit të punëve është deri te 2027.